Bomba nga Vushtrria

Pas rikthimit në Superligë, Kosova e Vushtrrisë - e cila tash e tutje do të quhet Llamkos Kosova – është duke u riorganizuar shumë mirë, madje ndoshta si asnjëherë më parë.
Falë sponsorit të ri, vushtrriasit nuk kanë të ndalur duke u përforcuar me lojtarë për edicionin e ri, i cili do të fillojë më 18 gusht.
Pas Alban Dragushës, Arbër Prekazit, Mehë Ukës dhe Alban Mavriqit, bardhekaltrit janë shumë afër që në Vushtrri t’i transferojnë edhe dy super-lojtarë tjerë të njohur kosovarë.
Fjala është për futbollistin më të mirë të viteve të fundit në Superligë, Mentor Zhdrellën dhe sulmuesin e rrezikshëm Labinot Osmanin.
Thuhet se të dy këta lojtarë përfundimisht janë ndarë me Hysin, derisa Llamkos Kosova është në fazën e kompletimit të transferimit të tyre.
Madje, këtë e ka konfirmuar për Express edhe vetë drejtori sportiv i këtij klubi, Ismet Munishi.
“Po, është e vërtetë se me Mentor Zhdrellën parimisht jemi pranë arritjes së marrëveshjes. Ai është shumë afër skuadrës sonë”, deklaroi Munishi për Express.
“Afër nesh është edhe sulmuesi Labinot Osmani. Mirëpo, Osmani është në pushime dhe porsa të kthehet në Kosovë besojmë se do t’i përfundojmë me sukses bisedimet me të. Të dy këta lojtarë na kanë njoftuar se kanë arritur marrëveshje me Hysin për t’u ndarë, sepse në të kundërtën do të ishte e pamundur të bënim përpjekje për t’u përforcuar me ta”, shtoi Munishi.
Megjithatë, Munishi tha se pavarësisht gjithë këtyre përforcimeve, Llamkos Kosova në edicionin e ri të Superligës nuk do ta ketë objektiv kryesor titullin e kampionit.
“Titulli i kampionit nuk është primar. Për ne primar mbetet formimi i një skuadre të fortë e cilësore. Ne kemi një plan-program pesëvjeçar nëpërmjet të cilit synojmë ta bëjmë një skuadër të fortë e cilësore, e cila do të ndikonte në ngritjen e cilësisë në futbollin kosovar në përgjithësi. Po ashtu rregullimi i infrastrukturës mbetet pjesë e planeve tona pesëvjeçare”, pohoi ai.
“Ndërsa, pas ndërkombëtarizimit të futbollit kosovar, atëherë objektiv yni do të jetë titulli i kampionit për të dalë në garat ndërkombëtare. E ky plan pesëvjeçar i yni na çon më afër atij objektivi tonë”, përfundoi Munishi.