Dëshiron ta meritojë numrin 1

Samir Ujkani synon të jetë titullar në portën e Palermos gjatë sezonit të ardhshëm. Mirëpo, portieri kosovar dëshiron ta meritojë këtë pozitë, duke i treguar aftësitë e tij, pas eksperiencës që e bëri në Novara, ku mbrojti tri sezone si huazim.
“Në Novara kam bërë eksperiencë të madhe, tash dëshiroj ta demonstroj këtu dhe ta meritoj fanellën e Palermos”, ka thënë fillimisht vushtrriasi nga qendra e përgatitjeve në Malles. – “Dëshiroj ta demonstroj në fushë atë që mund ta bëj dhe ta shpaguaj kështu besimin. Jemi tre portierë: unë, Brichetto e Benussi. Do të vendos trajneri se kush do të luajë”, vazhdoi ish portieri i Anderlechtit, i cili zbulon se inspirim i tij është Gianluigi Buffon, të cilin e admirojnë të gjithë.
Ujkani gjithashtu e ka falënderuar edhe presidentin Maurizio Zamparini, i cili ia dha mundësinë të rikthehet në klubin Rosanero.