E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bombardimet e NATO-s, Thaci: Mirënjohës edhe pas 11 vitesh

PRISHTINE- Kosova ka shënuar hapa të rëndësishëm dhe është e përkushtuar që sa më parë të përmbushë kriteret për t’u bërë pjesë e integrimeve euroatlantike", tha sot kryeministri Hashim Thaçi në një mesazh për 11-vjetorin e fillimit të ndërhyrjes së NATO-s për Kosovën.

Ai vlerësoi se “intervenimi i Organizatës më të fuqishme botërore ushtarake, NATO-s mbi pozicionet e ushtrisë dhe policisë serbe më 1999 është ngjarja më e rëndësishme e shekullit të shkuar për këtë aleancë, duke konfirmuar faktin se liria është vlera më e lartë e shoqërisë demokratike”.

Në vitet 1998 – 1999 Kosova kishte hyrë në rrugën e pakthyeshme të rezistencës kundër okupimit shekullor, duke u ballafaquar me njërin nga regjimet më diktatoriale, që përmes ushtrisë, policisë dhe formacioneve paramilitare, ushtronte dhunë, djegie, genocid dhe krime të papara mbi një popull të lashtë dhe liridashës, përkujtoi kryeministri.
“Vendimi politik për angazhimin e NATO-s në mbrojtje të popullit të Kosovës duke ndëshkuar rëndë një politikë që ushtronte dhunë shtetërore sistematike, krime dhe genocid është dëshmia më e mirë se vlerat e civilizimit evropian, liria dhe demokracia, janë identiteti i pakapërcyeshëm që nuk lejohet të rrezikohen nga forcat e errëta me asnjë çmim”, wshtw shprehur Thaçi.

Më tej ai shton se qytetarët e Kosovës, institucionet e lira dhe demokratike të shtetit më të ri të Evropës, u janë mirënjohës të gjithë liderëve botërorë, politikë dhe ushtarakë për përkahjen e madhe dhe të parezervë në momentet më vendimtare, që kulmuan me çlirimin e vendit, duke krijuar kushte që Kosova të ndërtojë identitetin e vet shtetëror dhe demokratik.

“Në bashkëpunim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare dhe duke përfaqësuar gjithnjë vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës, institucionet legjitime tejkaluan fazën emergjente të pasluftës, tranzicionin demokratik, duke finalizuar aktin historik të shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, thuhet më tej në mesazh me rastin 11 vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi pozicionet e ushtrisë dhe policisë serbe më 1999.
(s.g/atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›