“Legjislacioni shqiptar është garanci për investimet e huaja”

Kryeministri Sali Berisha si dhe Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani, takohen me Zëvendëskryeministri dhe ministër i Drejtësisë së Kuvajtit Rashid Al-Hammad
Përveç shkëmbimeve tregtare dhe marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kuvajtit, shumë shpejt mes dy vendeve do të ketë dhe një linjë ajrore direke. Ky projekt është diskuar dje, gjatë një takimit që kryeministri, Sali Berisha zhvilloi me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Drejtësisë së Kuvajtit, Rashid Al-Hammad.
Zyra e shtypit e Kryeministrit njoftoi se “zëvendëskryeministri dhe ministër i Drejtësisë së Kuvajtit Rashid Al-Hammad, shprehu interes për bashkëpunim të biznesit të të dy vendeve. Vendosja e një linje ajrore direkt, do të ndikonte pozitivisht në këtë drejtim”, është shprehur përfaqësuesi i shtetit kuvajtian gjatë takimit.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha e falënderoi Rashid Al-Hammad për ndihmën bujare që Kuvajti i ka dhënë Shqipërisë që pas rënies së komunizmit. Gjithashtu, Berisha ka vlerësuar dhe kontributin e Fondit Kuvajtian në financimin dhe realizimin e dhjetëra projekteve me rëndësi, duke u ndalur tek projekti më i fundit për ndërtimin e rrugës së njohur si Boshti i Jugut.
Nga ana e tij, Rashid Al-Hammad e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e përzemërt dhe konfirmoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve, e cila do të forcohet më tej nga hapja së afërmi e ambasadave respektive në të dy vendet.
Edhe Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani u takua dje me Zëvendëskryeministrin, dhe ministrin e Drejtësisë së Kuvajtit, Rashid Abdulmohsen Al-Hammad.
Gjatë këtij takimi, u evidentua se, legjislacioni shqiptar është garanci për investimet e huaja
Mes shumë ligjeve të rëndësishme ministri Nishani veçoi ligjin “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale” i cili është miratuar pak muaj më parë nga Parlamenti Shqiptar.
“Me anë të këtij ligji rregullohet dhe nxitet më tej bashkëpunimi juridiskional me vendet e ndryshme të botës , lehtësohet bashkëpunimi mes gjykatave të Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të tjera, lehtësohet shkëmbimi i dokumenteve gjyqësore si dhe realizohet më shpejtë përcjellja e letërporosive”, tha Ministri në fjalën e tij ndërkohë që i paraqiti Zëvendëskryeministri Kuvajtian të gjithë gatishmërinë e tij për të thelluar më tej bashkëpunimin në këtë fushën mes ekspertëve në nivelit teknik.
Më pas ministri e njoftoi Zëvendëskryeministrin, mbi hapat që kanë ndërmarrë ministria e Drejtësisë në fushë e përmirësimit të legjislacionit për investimet e huaja në vend.
“Kemi bërë disa amendime për ligjin për investimet e huaja për t’i dhënë lehtësi biznesit që ai të ketë më shumë garanci kur të investojë në vendin tonë. Qëllimi i vetëm është t’i nxisim bizneset të investojnë kapitalet e tyre në Shqipëri sepse këtu do të gjejë një ambient miqësor, një legjislacion dhe rend të qartë dhe të konsoliduar”, u shpreh Nishani
Zëvendëskryeministri, njëkohësisht edhe Ministër i Drejtësisë së shtetit të Kuvajtit, shkëlqesia e tij, Rashid Abdulmohsen Al-Hammad, pasi shprehu admirimin e tij për bukuritë e Shqipërisë i deklaroi ministrit gatishmërinë e tij për rritjen e bashkëpunimit në fushën e gjyqësorit nëpërmjet trajnimeve të përbashkëta si dhe shprehu dëshirën për të nxitur me tej investimet kuvajtiane në një vend me legjislacion të konsoliduar dhe rend të sigurt si Shqipëria.
...