“Të përfundojnë sa më shpejt projektet e financuara nga KE-ja”

Berisha mbledh Komitetin e Planifikimit të Strategjive
Kryeministri drejtoi dje mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive, e cila mori në shqyrtim një seri projektesh të financuara nga Komisioni Evropian. Kreu i qeverisë theksoi se është shumë e rëndësishme finalizimi, në një kohë sa më të shkurtër, i këtyre projekteve
Duke marrë fjalën, kryeministri u shpreh se Ministria e Integrimit, e cila mbikëqyr ecurinë e projekteve, ka veçuar, së bashku me Departamentin e Koordinimit dhe të Bashkërendimit të Strategjive dhe ndihmës së huaj, këto projekte dhe i ka sjellë për një shqyrtim më të hollësishëm, në këtë komitet, ku janë të përfaqësuar të gjitha institucionet, sidomos ato të lidhura me projektet që do të shqyrtohen.
Kryeministri vuri në dukje se në disa raste, për shkak të kompleksitetit , është i nevojshëm një qëndrim i ri, ndaj projekteve në fjalë.
“Disa prej këtyre projekteve kanë tetë vite në zbatim e sipër. është marrë me trajtimin e tyre, por kjo mbledhje duhet tu japë përgjigje përfundimtare”, u shpreh Kryeministri.
Duke evidentuar se ka projekte, të cilat datojnë që nga vitit 2002 apo 2003, Kryeministri theksoi se është shumë e rëndësishme që kjo mbledhje t’u japë përgjigje të gjithë problematikës së këtyre projekteve, në mënyrë që ato të zbatohen sa më shpejt të jetë e mundur.
“Në ndonjë rast mund të ketë nevojë për ndryshim të mbikëqyrjes së projektit. Në raste të tjera ka domosdoshmëri për ndërhyrje edhe në buxhetin e shtetit, sepse disa nga këto projekte datojnë që nga viti 2002 apo 2003, disa janë projekte që bashkëlidhen me projekte të tjera, por është shumë e rëndësishme që kjo mbledhje tu japë përgjigje të gjithë problematikës së këtyre projekteve në mënyrë që ato të zbatohen sa më shpejt të jetë e mundur”, vijoi më tej Kryeministri.
...