Bombardimet e NATO-s, protesta ne Serbi

Nxënësit serbë kanë mbajtur një minutë heshtje, ndërkohë që sirenat për rrezikun ajror janë ndezur në të gjithë vendin. Kjo ka qenë mënyra e kujtimit të bombardimeve të NATO-s në Serbi. Zyrtarët dhe politikanët serbë kanë kritikuar këtë veprim duke thënë se kjo ka qenë e paligjshme dhe nuk duhet të ndodhte për asnjë arsye. Ndonëse kanë qenë në opozitë kështu mendojnë edhe partitë me orientim demokratik. Kryeministri Mirko Cvetkoviç ka thënë se bombardimet duhet të shmangeshin sepse kanë qenë të paligjshme. "Këto probleme duhet të ndaloheshin dhe gjërat të zgjidheshin me bisedime", ka thënë kryeministri në mbledhjen e qeverisë kushtuar kësaj ngjarjeje. Presidenti Boris Tadiç është po ashtu i të njëjtit mendim. Deputetet e Kuvendit të Serbisë nuk kanë punuar këtë ditë, ndërsa ish-zëdhënësi i Sllobodan Milloshevicit, zëvendëskryeministri Ivica Daciç ka theksuar se ky ka qenë një krim ndaj popullit serb dhe se kjo gjë mund të zgjidhej në mënyrë të civilizuar.