E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bombat e Rugovës

Nënkryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe njëkohësisht drejtori i reprezentacioneve të Kosovës, Artan Rugova, ka drejtuar kritika, pas letrës që mori FBK nga sekretari gjeneral i FIBA-s, Patrik Bauman, e të cilën e publikoi të premten kryetari i FBK-së, Erolld Belegu, në një konferencë për shtyp.

Megjithëse ndan të njëjtin institucion me Belegun, Rugova mendon ndryshe. Ai konsideron se ajo që është ofruar nga FIBA, jo vetëm që nuk është e arritur, por mund të vlerësohet edhe si hap prapa. Këtë letër, ai e cilëson si ‘një kockë pa yndyrë’.

“Shkresa e FIBA-s, të cilën ne as që e kemi parë, është injorim-mashtrim për klubet, lojtarët, basketboll-dashësit, të cilët një kohë të gjatë i përcjellin rrjedhat dhe zhvillimet në kontinuitet rreth përpjekjeve të ndërkombëtarizimit. Sa kam informatë, qe gjashtë vjet bëhen përpjekje, lobime të ndryshme, aplikime e qe besa deri në Gjykatën Arbitrare të Sportit në Lozanë dhe përgjigjja gjithnjë e njëjtë: “nuk jeni në OKB dhe KOK-u nuk është i pranuar në KON”, thotë Rugova përmes një letre dërguar mediave.

Sipas tij, statuti i FIBA-s, deri para një kohe e lejonte pranimin edhe si territor i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa me ndryshimin e nenit të këtij interpretimi, kërkohet decidivisht plotësimi i kushteve të lartpërmendura, gjë që ne për momentin nuk i plotësojmë. Ai mendon se Serbia do të ketë ndikim shumë të madh në vendim-marrje në Bordin Qendror, edhe pas zgjedhjeve të fundit, në të cilin serbët nuk kanë anëtar.

Rugova shtoi se pika e dërguar në email-adresë, që Kosova të ketë mundësi të luajë ndeshje miqësore me ekipin U19 është qesharake edhe e pa kuptimtë, sepse kosovarët kanë luajtur edhe para pesë vjetësh ndeshje miqësore, dhe atë pa kufizime për ngjyra dhe stemë shteti, plus me pjesëmarrje të skuadrës nga Serbia.

“Vetëm pak ditë më parë, skuadrat nga Prizreni ishin pjesëmarrëse në turne tradicionale, Junior 06 –në Francë, Megasports në Turqi, Kalaja në Mal të Zi dhe atje u paraqit me simbolet tona shtetërore. Si duket, anëtarët e Bordit të FBK-së nuk kanë njohuri se çka po ndodh në basketbollin tonë përpos kur ka konferenca për media”, vazhdoi Rugova, sipas së cilit kosovarët mund të zhvillojnë ndeshje miqësore ndërkombëtare, vetëm se duhen mjete financiare dhe angazhim.

As lejimin e instruktorëve për seminare, trajnerë dhe gjyqtarë, ai nuk e sheh si risi, sepse nga viti 2003, në Kosovë kanë ligjëruar dhjetëra të tillë nga shtetet anëtare të FIBA-s dhe asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë vërejtje dhe kjo është bërë dhe do bëhet edhe në të ardhmen, shton ai.

Ndërsa, sa i përket ndihmës me disa topa apo fanella serike nga FIBA, Rugova thotë se kjo është bërë vetëm për t’i zbrazur magazinat e tyre dhe një mbyllje e gojës dhe vend për vetëkënaqësi apo “hi syve” për të mos thënë një ‘kockë pa yndyrë’ që nuk e heq urinë, e cila është shumë e madhe. “Kjo shkresë më kujton atë fabulën e nënës me të birin e uritur që i pjek gurë vetëm që fëmija të mendojë që janë patate”, nënvizoi ai.

Rugova ka ardhur në përfundim se FBK ka dështuar në aspektin e organizimit, e mos të flasim në aspektin e ndërkombëtarizimit, pasi, përkundër shpenzimeve të mëdha për vizita, lotime e shkresa (e në anën tjetër shumica e klubeve janë në gjendje më të rëndë sesa para lufte), në fund merr një shkresë me tri pika pa asnjë favor për Kosovën.

Ai kërkon një punë në rrafshin vendor, në organizimin e mirëfilltë të klubeve, shkollave të basketbollit, aftësimit dhe profesionalizimit të trajnerëve dhe gjyqtarëve, funksionimit të hierarkisë udhëheqëse që nga Federata, përndryshe, vijon ai, anëtarësimi dhe prezantimi do të mbetet në ndonjë shkresë në arkivat afër topave dhe fanellave që pritet të nisen për Kosovë.

“Vlerësoj se kemi humbur shumë kohë dhe është momenti që mungesa e transparencës ndaj opinionit të marrë fund, mos t’i dezinformojmë më me gjëra të tilla, ndërsa ne nuk jemi askund”, përfundon letrën ish basketbollisti kosovar, Artan Rugova.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›