Bombë në Ambasadën indiane në Kabul
Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe 85 të tjerë janë të plagosur si pasojë e shpërthimit të një bombe përpara Ambasadës së Indisë në Kabul. Bomba ishte e vendosur në një makinë, dhe shpërtheu vetëm pak metra larg Ministrisë së Brendshme. Ky është sulmi i rradhës mbi Ambasadën Indiane në vend. Korrikun e vitit të kaluar si pasojë e një sulmi të tillë humbën jetën 58 persona, përfshi këtu edhe 2 diplomatë indianë. Dhuna në Afganistan është rritur ndjeshëm për shkak se kërkohet tërheqja e trupave ndërkombëtare nga vendi. Talebanët në vend po sulmojnë vazhdimisht zonat e sigurisë duke shkaktuar numër të madh viktimash. Ky vit ka qenë po kështu i përgjakshëm për forcat ushtarake perëndimore në vend.