Bombë në dyqanin e shpendëve

PATOS - Një alarm për bombë në një dyqan lagjeje që tregton shpendë, ngriti dje në këmbë banorët e qytetit të Patosit në rrethin e Fierit. Rreth orës 07:30 të mëngjesit, roja i dyqanit në pronësi të Agim Nakos, njoftoi se vetëm 20 metra larg këtij dyqani gjendej një bombë dhe një sasi tjetër lënde shpërthyese. Nako lajmëroi menjëherë policinë e Patosit, ndërsa këta të fundit njoftuan edhe blutë e Fierit. Efektivët e policisë që mbërritën me urgjencë në vendngjarje larguan tregtarët që ndodheshin pranë dyqanit të pozicionuar në bulevardin kryesor të qytetit, pranë stacionit të autobusëve, në katin e parë të një pallati pesëkatësh. Po kështu, policia ka bllokuar edhe qarkullimin rrugor në bulevardi për të paktën tri orë, teksa pritej të mbërrinin specialistët e armatimeve dhe municioneve. Forca të shumta policore rrethuan qytetin e Patosit, ndërkohë që vetë kreu i Postës së Policisë Patos, Gerond Konda, shkëputi me kujdes bombën, të cilën e flaku në një fushë shumë pranë vendit të ngjarjes. Menjëherë pas hedhjes, bomba shpërtheu. Burime zyrtare të policisë nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se pranë dyqanit është gjetur jo vetëm bomba, por edhe një tubo plastike me të cilën ishte lidhur fitili i eksplozivit të bombës me qepenin, si dhe një sasi e vogël lënde plasëse. Para marrjes së bombës, ekspertët e policisë kanë siguruar gjurmë gishtash në vendin e ngjarjes, si dhe mbetje të tubit plastik. Deri tani, uniformat blu kanë sqaruar se bomba është vendosur gjatë orëve të natës, mesa duket për shkak të konkurrencës me pronarin e dyqanit, Agim Nakon. Megjithatë, sipas burimeve hetimore, mësohet se çështja është përqendruar edhe në aktivitetin e pronarit të dyqanit, i cili dje ka marrë një kërcënim të pastër përmes vendosjes së bombës. Burimet zyrtare të policisë tregojnë se janë marrë në pyetje disa persona, banorë të qytetit të Patosit, por ende nuk ka një autor për këtë ngjarje. Agim Nako ka disa dyqane në qytetin naftëtar dhe prej pak muajsh e ka dhënë me qira mjedisin e dyqanit ku tregtonte shpendë të egër.