E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: Jemi të hapur

Kreu i grupit kuvendar demokrat thotë se PD-ja është e hapur për sugjerimet e subjekteve të djathta politike, përfshirë idenë e federatës së djathtë si koalicion parazgjedhor. Në kampin e djathtë, lënia e opsionit të listave të përbashkëta siguron partitë e vogla edhe për krijimin e federatës ose polit të dytë brenda së djathtës. Megjithatë, gjithçka varet nga diskutimet dhe marrëveshjet mes krerëve të partive

Partia Demokratike premton se do të tregohet e hapur për sugjerimet e forcave aleate, në rast se ato propozojnë krijimin e federatës së djathtë si koalicion parazgjedhor për procesin e ardhshëm. Edhe pse kjo temë është harruar disi kohët e fundit, nisja e diskutimeve për mënyrën e krijimit të koalicioneve parazgjedhore pritet që të sjellë edhe “ringjalljen” e idesë së krijimit të federatës së djathtë. Kjo duket se nga partitë e vogla akoma ekziston si ide, kur ato kërkojnë që në Kodin e ri Zgjedhor të lihet edhe opsioni i listave të përbashkëta. Dalja në zgjedhje si federatë dhe me lista të përbashkëta, do t’u garantonte qenien e tyre në parlament edhe pas zgjedhjeve të vitit 2009. Lënia e të dy opsioneve, ai i listave të veçanta dhe ai i listave të përbashkëta, “do të qetësonte” partitë e vogla, të cilat do të kishin më shumë mundësi zgjedhjeje për krijimin e koalicionit të ardhshëm. Lënia e opsionit të listave të përbashkëta në Kodin e ri Zgjedhor do t’u krijonte hapësirën për krijimin e federatës së djathtë të kryesuar nga Partia Demokratike. Në rast se formula e koalicionit parazgjedhor të propozuar nga PD-ja nuk do të kënaqte aleatët, atëherë opsioni i listave të përbashkëta do t’u mundësonte partive të vogla krijimin e një poli të dytë brenda së djathtës dhe daljen në zgjedhje me lista të përbashkëta. Megjithatë, duket se përllogaritjet e sakta partitë politike do të nisin t’i bëjnë pas përfundimit të reformës zgjedhore. Ideja e krijimit të një federate të djathtë është diskutuar për herë të fundit para tre muajsh, kur Partia Republikane e hodhi fillimisht si ide dhe gjeti mbështetjen e Partisë Demokristiane dhe të partive të tjera të vogla të kampit të djathtë. Tashmë pritet që ky propozim të rikthehet sërish në kampin e djathtë. I pyetur për këtë çështje, kryetari i grupit kuvendar demokrat, Astrit Patozi, thotë se kjo mbetet për t’u diskutuar, pasi akoma nuk kanë nisur diskutimet konkrete. Megjithatë, Patozi thotë se e vetmja gjë që është e sigurt tashmë, është se në zgjedhjet e ardhshme, e djathta do të dalë e bashkuar. “Ne do të bëjmë gjithçka që të futemi të bashkuar në zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që e djathta të mos humbë asnjë votë. Ne jemi të gatshëm për të dëgjuar çdo sugjerim të subjekteve politike dhe nuk përjashtohet asnjë mundësi. Partia Demokratike është e hapur për partitë e qendrës dhe ato të djathta. Ne do të mblidhemi dhe do të diskutojmë sesi do të futemi në zgjedhje, dhe pastaj edhe mundësia e federatës mund të bëhet pjesë e diskutimeve”, thotë Patozi për “Korrierin”. Sipas tij, do të jenë diskutimet mes subjekteve politike të djathta, ato që do të vendosin se cila do të jetë mënyra më e mirë për t’u futur në zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që e djathta të jetë sërish forca qeverisëse. 

Ide e hershme edhe e Berishës

Ideja e krijimit të një federate të djathtë është propozuar edhe para zgjedhjeve të vitit 2005, ku Partia Demokratike dhe disa nga aleatët aktualë ishin në opozitë. Kryetari i atëhershëm i opozitës, Sali Berisha dhe aleati republikan, Fatmir Mediu, u bënë thirrje partive aleate, të cilat parimisht u shprehën dakord me idenë, por kjo gjë nuk u realizua asnjëherë. Me ndryshimin e sistemit zgjedhor nga mazhoritar miks në proporcional rajonal, pritet që të rikthehet edhe ideja e krijimit të federatës së djathtë, e cila tashmë duket se u intereson edhe më shumë partive të vogla, të cilat rrezikojnë zhdukjen nga Kuvendi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›