Për 300 lekë borxh, katër thika Parisit

17-vjeçari Rizai ndodhet në gjendje kritike për jetën, pasi shoku i tij i doli befasisht në rrugë dhe e goditi me thikë. Prangoset autori
LUSHNJË - Për 300 lekë të reja borxh ende të pakthyera, dy adoleshentë, banues në qytetin e Lushnjës, u konfliktuan deri në tentativë vrasjeje. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës, ku si pasojë e një grindjeje për motive të dobëta, mbeti i plagosur nga disa goditje me thikë 17-vjeçari Paris Rizai, aktualisht në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa bashkëmoshatari i tij, Edison Lleshi, autor i ngjarjes, u prangos nga policia lokale nën akuzën e “vrasjes me dashje e mbetur në tentativë”. Sipas burimeve policore të Lushnjës, gjithçka ka ndodhur pas një sherri mes dy të rinjve, e cilësuar nga grupi hetimor si “çështje personale”. Po nga të njëjtat burime mësohet se dy adoleshentët janë konfliktuar për 300 lekë të reja që i kishin njëri-tjetrit, ku pas akuzave të mëparshme ndaj shoqi-shoqit, mbrëmjen e së hënës, në afërsi të stacionit të trenit të Lushnjës, fjalët ia lanë vendin dhunës fizike e më pas edhe përdorimit të thikës. Mësohet se Edison Lleshi i ka dalë përpara shokut të tij, të cilin e ka qëlluar disa herë me thikë në trup. Policia pas mbërritjes në vendin e ngjarjes mundësoi transportimin e të plagosurit drejt spitalit, ku sipas bluzave të bardha, gjendja e 17-vjeçarit Paris Rizai është me të vërtetë kritike. Rreth 30 minuta pas ngjarjes, blutë e Komisariatit të Lushnjës, mundën të arrestojnë autorin e plagosjes, Edison Lleshin, në tentativë për t’u larguar për në drejtim të qytetit të Fierit. 17-vjeçari u prangos nën akuzën e “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë”.