E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të vegjlit nuk zënë besë

PD e PS do të veprojnë si me ndryshimet kushtetuese

Puna e Komisionit të posaçëm për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor ka mbetur pezull, të paktën zyrtarisht. Mbledhja e radhës, sipas burimeve pranë këtij komisioni, duhej të ishte zhvilluar dje, ku po sipas tyre, pritej që të dyja partitë e mëdha të dorëzonin një draft, që mund të ishte i përbashkët ose jo. Por sërish mbledhja u shty, ndoshta për sot, ndoshta për një ditë tjetër, këtë as vetë anëtarët e komisionit nuk dinë ta thonë. Por pikërisht kjo vonesë, pra gati dy javë joaktive me seanca, ndonëse siç duket, palët po punojnë jashtë tryezës, ka bërë që partitë e vogla të jenë edhe më skeptike. Pëllumb Xhufi dhe Engjëll Bejtaj i thanë dje “Korrierit”, se realizimi i misionit është më se i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Në krahun tjetër, ata shikojnë me dyshim ripërsëritjen e asaj çka ndodhi për realizimin e ndryshimeve kushtetuese. Hartimi i drafteve në mënyrë personale pa u diskutuar në komision, për ta është i papranueshëm. “Kjo do të ishte në kundërshtim me procedurat. Nëse njëra sjell draftin e saj e tjetra po ashtu, pa bërë diskutimin në komision, atëherë kjo është përsëritjen e skemës së 21 prillit, puçi i radhës”, - u shpreh kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi. Edhe kreu i PSD-së në sallën e Kuvendit, Engjëll Bejtaj, ngre të njëjtin shqetësim. Sipas tij, nuk është shumë i rëndësishëm miratimi i një kodi që të garantojë standardet, edhe pse kjo nuk mund të realizohet brenda korrikut. “Thelbësore është që projekti i kodit të jetë i tillë, që të kënaqë jo thjesht partitë politike, por të realizojë atë mision, që të detyrojë një standard zgjedhjesh të pranueshëm dhe të përafërt me atë të vendeve të BE-së. Mungesa e transparencës për dokumentin dhe për parapërgatitjet është një ogur i keq për sa i përket variantit final të kodit. Megjithatë, të mos bëjmë “Kasandrën”. Do të dëshiroja të isha i gabuar, por gjithsesi nuk jam shumë optimist”, - deklaroi Bejtaj. Por, ndërsa shprehin mosbesim për mënyrën e hartimit, negocimit dhe të miratimit të kodit, dy përfaqësuesit e LSI-së e PSD-së e shikojnë gati të pamundur përfundimin e misionit të komisionit brenda dy javësh. “Qysh në fillim, kur është caktuar një muaj mandati i komisionit, kam qenë skeptik për sa i përket realizimit dhe sot jam edhe më tepër. Sot e kam me prova që nuk është thjesht një dyshim”, - tha Bejtaj. Sipas tij, përfundimi i hartimit të kodit, por edhe miratimi në Kuvend nuk është i pamundur, por siç thotë Bejtaj, mungon vullneti. Edhe zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, e sheh si të pamundur realizimin përfundimtar të kodit me procedurë normale. “Nisemi nga fakti që deri tani janë diskutuar vetëm 5 nene në një kod që parashikon të jetë me 140 nene. Ato 5 nene u morën siç ishin nga kodi i vjetër. Kjo na bën të kemi dyshimin, që përsëri do të procedohet si me sistemin zgjedhor”, - deklaroi ai. Sipas tij, vonesa e fillimit të punës së komisionit, që pas 21 prillit (kur u miratua sistemi i ri zgjedhor), ishte shumë e madhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›