Bombë në mes të Athinës, sulmohet PASOK
Një bombë shpërtheu dje në mes të Athinës, pranë rezidencës private të një zyrtareje të partisë opozitare Socialiste, duke shkaktuar dëme materiale, por jo viktima. Pajisja shpërthyese ishte vendosur në katin e katërt të ndërtesës, në të cilën ndodheshin rezidenca private dhe zyrat e politikanes socialiste, Louka Katselis, e cila është përgjegjëse për ekonominë në PASOK, kryesorja në opozitë. Shpërthimi ndodhi vetëm dhjetë ditë para se në Greqi të organizohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat janë thirrur në mes të mandatit të qeverisë aktuale (dy vjet para kohe). Zëdhënësi i policisë greke, Panagiotis Stathis, tha për agjencinë Press Asociated, se në një gazetë dhe një televizion grek ishte bërë një telefonatë anonime para shpërthimit, që paralajmëronte se ishte vendosur një bombë. Sipas M&C, telefonata ka ndodhur 20 minuta para se të dëgjohej shpërthimi. Autoritetet greke evakuuan zonën, ndërsa ekspertët e eksplozivëve po punonin për të gjetur se çfarë lloj pajisjeje mund të ishte përdorur. Pajisja, që u gjet në një qyp, theu xhamat e dritareve dhe dëmtoi fasadën kryesore të apartamentit. Katselis, e cila e ndan zyrën me bashkëshortin e saj, ish ministri i qeverisë së PASOK-ut, Gerassimos Arsenis, është një nga kandidatet kryesore të partisë së saj për zgjedhjet e katër tetorit.