Nju Jork, hapet Asambleja e Përgjithshme
Dje u hap takimi i 64-t i Asamblesë së Përgjithshme Parlamentare të Kombeve të Bashkuara. Presidenti amerikan, Barak Obama, ka mbajtur fjalimin hapës duke u kërkuar liderëve botërorë që të marrin më shumë përgjegjësi në konfrontimin me sfidat globale. Obama përmendi katër si çështje kryesore që sigurojnë të ardhmen: çarmatimi bërthamor, promovimi i paqes dhe i sigurisë, ngrohja globale dhe një ekonomi globale, që i ofron mundësi të gjithë njerëzve. Sipas tij, Irani dhe Koreja Veriore po kërcënojnë “një tatëpjetë të rrezikshme” me programet e tyre bërthamore dhe duhet të mbahen përgjegjëse nëse vazhdojnë të punojnë në këto programe. Ai, po ashtu theksoi rëndësinë e arritjes së paqes në Lindjen e Mesme pa kushte. Obama tha se në këtë kuptim, duhet të njihet e drejta e Izraelit për të ekzistuar në paqe dhe siguri, duke kritikuar ndërtimet e kolonive në Bregun Perëndimor nga ana e Izraelit. Në mesin e liderëve që iu drejtuan Asamblesë ishte edhe ai i Libisë, Muhamer Gadafi, si dhe presidenti iranian, Mahmud Ahemdinexhad, për të cilin Izraeli kërkoi që liderët e botës t’ia bojkotojnë fjalimin.