Karamanlis e Papandreu, në sulm “kokë më kokë”
Dy liderët grekë u përballën për herë të parë “kokë më kokë” në një debat televiziv, ku shpalosën qëndrimet e tyre për disa nga çështjet më të rëndësishme të vendit, dhjetë ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ndërsa lideri i PASOK, Jorgo Papandreu, u mbështet në akuzat aktuale kundër Kryeministrit Kostas Karamanlis të “Demokracisë së Re”, për rrënimin e ekonomisë, rendit publik dhe futjes së Greqisë në borxhe të thella, ky i fundit u bazua në dështimet e së shkuarës së PASOK-ut për çështje korrupsioni, por edhe ekonomike. Debati zgjati rreth 1 orë e 15 minuta. Çështja kryesore e tij ishte ekonomia. Papandreu tha se ai do të nxiste ekonominë duke pakësuar humbjet dhe duke krijuar një sistem efikas për mbledhjen e taksave, ndërkohë që premtoi rritjen e pagave të sektorit publik. Karamanlis, nga ana e tij e cilësoi pa projekt këtë deklaratë dhe paraqiti nga ana e tij pezullimin e rritjes së pagave për punonjësit qeveritarë. Papandreu e akuzoi Karamanlisin se ka krijuar një borxh për Greqinë prej 100 miliardë eurosh dhe nuk i ka absorbuar dy programe të nevojshme të BE-së, që iu paraqitën para krizës. Ai tha se paratë e marra nga BE kanë shkuar për klientë “ekstravagantë, jo transparent dhe të korruptuar” dhe theksoi se ai është i vendosur për të luftuar këtë fenomen. Papandreu tha se ka kontakte “personale me komisionerët evropianë që merren me çështjen e borxheve dhe Z. Barroso (presidentin e KE-së) dhe do të ndjekë programet e Komisionit për krizën.
Politika e jashtme
Papandreu tha se Greqia “e ka humbur prestigjin në skenën ndërkombëtare” dhe akuzoi qeverinë se nuk ka përdorur “të drejtën e vetos për Turqinë në rastin e fluturimeve në territorin grek dhe çështjen e Qipros, për të cilat duhej të ishte negociuar”. Papandreu tha se do ta përdorë në dhjetor të drejtën e vetos për Turqinë në BE. Në lidhje me marrëdhëniet me Rusinë, Papandreu tha se “kam punuar me rusët për Kosovën, duke përpiluar së bashku një tekst ku bazohet integriteti i Serbisë”. Duke iu referuar marrëdhënieve Greqi-SHBA, Papandreu tha se marrëdhëniet në qeverinë e tij do të jenë në interes të Greqisë. Karamanlis tha se ata “po diskutojnë me Turqinë sipas ligjeve ndërkombëtare, dhe se mbështet perspektivën evropiane të Turqisë, nëse ajo i përmbush detyrimet e saj”. Ai i kundërshtoi kritikat e Papandreut, duke sqaruar se në një samit të BE-së Turqia ka nënshkruar marrëveshje dhe është e detyruar ta respektojë Greqinë. Ai kundërshtoi edhe për çështjen e Qipros, duke thënë se qeveria po kërkon zgjidhje të përshtatshme. Ai tha se mbështet anëtarësimin e vendeve fqinje, por mbetet kontesti i emrit me FYROM.
Linja e kuqe
Për sa i përket çështjes së emrit, pozicionet e partisë qeverisëse konservatore “demokracia e re” dhe socialistes në opozitë, PASOK, është pothuajse identik, thanë liderët e të dyja partive, Karamanlis dhe Papandreu gjatë debatit televiziv. Athina mbështet aspiratat për në BE të vendeve fqinje, megjithëse mbeten ndryshimet për shkak të moszgjidhjes në lidhje me emrin e FYROM. E kemi paraqitur pozicionin tonë në NATO dhe BE në lidhje më këtë çështje dhe kemi vendosur një linjë të kuqe, që ne nuk do ta braktisim, citoi Karamanlis. Papandreu deklaroi se PASOK e mbështeste plotësisht qeverinë e Karamanlisit në çështjet e interesave kombëtare, përfshirë konfliktin për emrin. “Linja e kuqe është vendosur dhe ne nuk do ta braktisim atë edhe po u bëra unë Kryeministër”, tha Papandreu. Karamalis e gjykoi të drejtë vendosjen e vetos së Greqisë në samitin e Bukureshtit të NATO-s. Papandreu tha se nuk ka arsye për veto përderisa bisedimet janë në zhvillim e sipër.