Bombola plagos gruan, shkatërrohen tri banesa
Etleva Delia
Një grua 55-vjeçare pësoi plagosje të rëndë nga shpërthimi i bombolës së gazit në shtëpinë e saj, kati i pestë i një pallati pranë rrugës së Elbasanit, në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në pallatin e banimit, në afërsi të Ambasadës Rumune në kryeqytet. Dashurie Kulili është e dëmtuara, e cila përveç djegieve në pjesë të ndryshme të trupit, ka pësuar edhe fraktura nga përplasja që ka ardhur si pasojë e presionit të madh nga shpërthimi i gazit. Sipas mjekëve, 55-vjeçarja ndodhet jashtë rrezikut për jetën në reanimacionin e spitalit të djegieve, në Tiranë. Grupi hetimor që po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, dyshon se ka qenë një defekt në guarnicionin e bombolës së gazit 10-litërshe, të sobës së gatimit, që ka shkaktuar rrjedhje të gazit e më pas shpërthimin e fuqishëm. Kryefamiljari, G. Kulili, një tregtar pajisjesh duralumini, i pyetur nga policia ka treguar se bombolën e kishte mbushur me gaz mbrëmjen e së hënës, ndërsa kur shpërtheu ende nuk ishte vënë në përdorim. Sipas policisë, kjo shpjegon edhe faktin se nga shpërthimi i fuqishëm, përveç apartamentit ku banon familja Kulili, që është shkatërruar plotësisht, janë dëmtuar edhe dy apartamente të tjera ngjitur. Nga vetratat e dritareve që kanë rënë në tokë si pasojë e presionit të shpërthimit, janë dëmtuar edhe pesë automjete që ishin parkuar poshtë pallatit. Një prej automjeteve të shkatërruar është në pronësi të Ambasadës Rumune, ndërsa 4 të tjerët u përkasin banorëve të pallatit.
SHPERTHIMI
Rreth orë 14:30, një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në një pallat pranë Ambasadës Rumune, në rrugën e Elbasanit, në Tiranë. Sipas burimeve nga policia, që i referohen deklarimeve të dëshmitarëve të ngjarjes, shpërthimi ka ardhur si pasojë e rrjedhjes së gazit nga një bombol gatimi. Dashurie Kulili, sapo është kthyer nga puna është futur në apartamentin e saj në katin e pestë të pallatit, ku banonte vetëm me bashkëshortin, një tregtar duralumini, pasi 2 vajzat i kishte studente në Itali. Sapo ka hyrë në banesë, veprimi i parë që ka bërë ka qenë ndezja e një llambe elektrike, çka ka shkaktuar edhe flakët e më pas shpërthimin. Dhoma e tejmbushur nga gazi për shkak të presionit të madh ka shpërthyer bombolën dhe si rezultat 55-vjeçarja përveç se është djegur nga flakët, është përplasur me derën e jashtme të apartamentit dhe në mur, duke pësuar fraktura në trup. Në vendngjarje kanë arritur në kohë forcat e zjarrfikëseve dhe specialistë të policisë, që kanë mundur të shuajnë zjarrin para se të përhapej më shumë për të shkaktuar dëme më të mëdha. Një grup hetimor i ngritur për këtë rast po verifikon lidhjet dhe shkaqet e mundshme që mund të kenë sjellë shpërthimin e fuqishëm. Edhe pse paraprakisht dyshohet rrjedhje gazi për një kohë të gjatë, që ka tejmbushur dhomën me gaz dhe kontakti me një llambë të ndezur në dhomë, ka sjellë flakët e më pas shpërthimin.