E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtrim me kredi, 4 në pranga



LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

Morën kredi që në vitin 2007 me dokumente të falsifikuara, arrestohen pasi i paditi banka për mosshlyerjen e parave. Në kuadër të operacionit të koduar “Gjahtari i kredive”, policia e Lezhës prangosi 4 persona, të cilët kishin përfituar 10 milionë lekë të reja. Të arrestuarit janë: 32-vjeçarja Migena Shema, ish-oficere kredie në “Raifeissen Bank”, Haxhi Haxhia, 54 vjeç, administrator i firmës “Ulqini shpk”, i cili merret me tregtinë e armëve të gjahut, Martin Gjokhilaj, 36 vjeç, punëtor ndërtimi dhe 54-vjeçari Nikoll Ndoj, edhe ky punëtor. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se Haxhia u ka lëshuar vërtetime punësimi 10 personave për t’i paraqitur në bankë, por që ata kanë rezultuar të pasiguruar në zyrën e sigurimeve shoqërore në Lezhë. Sipas hetimeve përmes këtyre dokumenteve të falsifikuara ata kanë mundur të marrin 10 milionë lekë kredi në njërën nga filialet e “Raifeissen Bank”, me qëllim për të ndërtuar një godinë 4-katëshe në qytetin e Lezhës. Kredia ishte marrë që në vitin 2007, ndërkohë që deri më tani, kredimarrësi nuk kishte shlyer asnjë lek në bankën përkatëse. Mësohet se sektori i krimit ekonomiko- financiar në policinë e Lezhës kishte nisur hetimet pas ankesës së bërë një muaj më parë nga dega e “Raifeissen Bank”. Pas denoncimit të kryer, krahas punës së kryer në terren duke pyetur disa persona, blutë u fokusuan edhe në metoda të tjera të specializuara të hetimit. Pas mbledhjes së provave, blutë organizuan edhe operacionin për arrestimin e personave përgjegjës të implikuar në këtë çështje, duke arrestuar rreth orës 22:00 të së hënës katër personat nga Lezha. Sipas policisë, Migena Shema, me detyrën e oficeres së kredive, ka shpërdoruar detyrën duke dhënë kredi konsumatore me anë të dokumenteve të falsifikuara. Gjithashtu ajo u ka dhënë kredi personave pa qenë prezentë familjarët e tyre në momentin e tërheqjes së parave. Për punonjësen e bankës janë ngritur akuzat për veprat penale të “mashtrimit në kredi”, “falsifikim të dokumenteve” dhe “shpërdorim detyre në bashkëpunim”. Ndërsa Haxhi Haxhia, si dhe dy punëtorët Martin Gjokhilaj dhe Nikollë Ndoj, u akuzuan për veprat penale “mashtrim me kredi” e “falsifikim të dokumenteve”, në bashkëpunim. Burime nga policia bënë të ditur se do të vazhdojnë hetimet për verifikimin e mëtejshëm të personave të implikuar në dhënie dhe përfitim në mënyrë të paligjshme të kredive.

Të arrestuar

Migena Shema
32 vjeçe, ish-oficere kredie në “Raifeissen Bank”

Haxhi Haxhia
54 vjeç, administrator i firmës “Ulqini shpk”, tregtar i armëve të gjahut

Martin Gjokhilaj
36 vjeç, punëtor ndërtimi

Nikoll Ndoj
54 vjeç, punëtor ndërtimi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›