E Shtunë, 31 Tetor 2026

Remzi Hoxha, Holanda “ok” pyetjes së Loshajt



TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda konfirmoi dje se letërporositë e dërguara drejt Holandës me pyetjet për dëshmitarin “kyç” të procesit “Remzi Hoxha”, Avdyl Loshaj, kanë mbërritur në destinacion. Ndërkohë ende nuk është realizuar ekzekutimit i tyre. Lajmi u bë i ditur në seancën e djeshme në ngarkim të ish-sekretëve të akuzuar për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopulit, Avdul Loshajt dhe Remzi Hoxhës, me pasojë zhdukjen e të fundit. Seanca e djeshme nuk mundi të zhvillohej normalisht, për shkak të mungesës së njërit prej gjyqtarëve të pesëshes gjykuese për arsye shëndetësore. Kryesuesi i seancës, vetëm bëri apelin e palëve dhe më pas shtyu seancën në një datë të re. Ndërkohë që gjyqtari relatoi se nga ana e drejtësisë holandeze kishte mbërritur një korenspondencë në gjykatë, në lidhje me letërporositë e dërguara. Për shkak të mungesës së gjyqtarit, gjykata nuk mund të administronte korenspondencën, ndërkohë që u ftuan palët të tërhiqnin kopje të saj në sekretari. Kryesuesi relatoi se njohja me të do të bëhet në seancën e ardhshme, pasi ato të përkthehen nga përkthyes të licencuar të Ministrisë së Drejtësisë. Burime të rezervuara pranë gjykatës bënë të ditur se nuk bëhet fjalë për përgjigjën e letërporosive, por vetëm për një sqarim nga pala holandeze. Referuar burimeve mësohet se sqarimi ka të bëjë me lejimin apo jo të pjesëmarrjes së avokatëve të të pandehurve në ekzekutimin e lëtërporosive në Holandë. Procesi me të pandehur Ilir Kumbaron, Arben Sefgjinin dhe Avni Koldashin është në fazën e pyetjes së dëshmitarëve të akuzës. Pjesa më e madhe e dëshmitarëve janë paraqitur para gjykatës, ndërsa i cilësuari si dëshmitari “kyç” do të pyetët me anë të letërporosive. Në gusht të vitit të kaluar gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për pyetjen e tij me anë të video-konferences. Por për shkak të pamundësive teknike, gjykata vendosi pyetjen e tij me anë të letërporosive. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›