Kalimash, ndalohen lëvizjet në tunel deri më 1 qershor
KUKES/ JONUZ HALLAçI
Tuneli i Kalimashit do të jetë i mbyllur deri në fund të majit. Asnjë lëvizje nuk do të lejohet të kryhet brenda tij nga firma ndërtuese "Bechtel-Enka". Sipas përfaqësuesve të saj, deri në momentin kur galeria e parë e tunelit do të rihapet, lejet për të kaluar nëpërmjet tij, do të jepen vetëm nga Ministria e Transporteve dhe Telekomunikacionit për raste të jashtëzakonshme. Nëse deri dje kanë kaluar në galerinë e tunelit dhjetëra vetë, kryesisht ata që kanë pasur nevoja emergjente, shëndetësore apo persona me funksion e pozitë, tashmë tabela "STOP" është për të gjithë. Ditën e djeshme, nëpërmjet galerisë së tunelit nuk ka mundur të kalojë asnjë udhëtar. Policia dhe punonjësit e firmës kanë zmbrapsur çdo lloj kërkese për kalim. Duket se kjo ndërprerje drastike ka ardhur pasi u fol për abuzime, ku udhëtarët paguanin 2 mijë lekë të reja për kalim, gjë që u hodh poshtë nga ndërtuesit e tunelit. Nga ana tjetër, burime të stafit thonë se që nga dje ka nisur dhe betonimi i galerive dhe nuk do të ketë ndërprerje të punës. Sipas të dhënave më të fundit, njëra prej galerive do të hapet në fund të muajit maj, pikërisht në nisje të sezonit turistik, ndërkohë që tjetra në vjeshtë. Në galerinë ku gjatë verës së kaluar është bërë kalim normal, në një gjatësi prej 1 mijë metër është futur sërish një sasi e madhe inertesh për të ruajtur nga shembjet dhe çarjet anët anësore të galerisë. Ato pësuan shembje dhe krisje dhe nga punimet dhe gërmimet në galerinë tjetër të tunelit, e cila u shemb para disa muajsh. Këtu punimet kanë ecur më ngadalë se në galerinë e parë. Në galerinë kryesore, e cila pritet të rihapet në fund të majit, me anë të sondave është betonuar tavani i pjesës së shembur. Të gjitha këto punime kanë bërë që tuneli të jetë i bllokuar, për të mos pasur asnjë lëvizje. Nga ana e "Bechtel-Enka"-s përgjegjësia për të lejuar kalimet në raste të jashtëzakonshme tashmë do të jetë vetëm në dorë të Ministrisë së Transporteve, por dhe ata në situata të caktuara. Galeria e vetme që u hap gjatë muajve të verës u mbyll për shkak të punimeve në tetor të vitit të shkuar. Prej asaj kohe, qytetarët që donin të udhëtonin drejt Kosovës apo anasjellas, shfrytëzonin një shteg të ngritur mbi tunel. Bllokimi nga bora e gjendja e vështirë e kësaj pjese detyron ende dhe sot që kalimi të bëhet nga rruga e vjetër, e cila zgjat mbi 6 orë.