Vetëvrasja, gruaja e hedhur nga ballkoni kurohej në Psikiatrik
TIRANE – Policia e kryeqytetit tha dje se dy gratë që u vetëvranë të hënën, duke u hedhur nga ballkonet e pallateve ku banonin, i kryen aktet në kushtet e depresionit dhe probleme mendore. Sipas burimeve të policisë, në dosjet e këtyre ngjarjeve, janë grumbulluar të dhëna që tregojnë se dy gratë vuanin nga depresioni. Njëra prej viktimave kurohej prej dy vitesh, pasi kishte qenë fillimisht e shtruar në Spitalin nr.5. Policia sqaroi se bëhet fjalë për shtetasen Albana Vreto, 39 vjeç, e cila u hodh nga kati i katërt i pallatit në rrugën e Kavajës, në Tiranë. Hetuesit thanë se ajo vazhdonte të kurohej me ilaçe kundër depresionit. Në momentin e hedhjes nga ballkoni, sipas policisë, gruaja ndodhej vetëm në shtëpi. trupi i saj i pa jetë është parë nga kalimtarët në oborrin e pallatit të cilët menjëherë lajmëruan policinë për ngjarjen e rëndë. Menjëherë pas lajmërimit, në vendin e ngjarjes ka mbërritur një ambulancë, e cila ka transportuar trupin e pajetë në morgun e Tiranës, pasi që në momentin e parë u konstatua se viktima nuk kishte shenja jete. Familjarët e 38-vjeçares, të pyetur nga policia, kanë treguar se ajo kurohej për sëmundjen që kishte, por kohët e fundit gjendja e saj ishte rënduar, por nuk e mendonin së ajo do arrinte deri aty sa të kryente vetëvrasje. Policia ka sekuestruar në apartamentin e viktimës edhe kutitë me ilaçe antidepresiv, si dhe kartelën mjekësore të hapur para dy vitesh në Spitalin nr.5. Në lidhje me ngjarjen tjetër, e cila ndodhi vetëm disa orë pas vetëvrasjes së Albana Vretos, në lagjen “Don Bosko” në kryeqytet, paralelisht me shkaqet e depresionit, po hetohet edhe mundësia e vetëvrasjes aksidentale. Shqipe Mustafa i dha fund jetës, duke u hedhur nga ballkoni apartamentit të saj në katin e gjashtë të pallatit nr.6, në rrugën “Don Bosko”. Gruaja 35-vjeçare, e martuar, nënë e një djali 3-vjeçar, nuk kishte vuajtur më parë nga depresioni, edhe pse sipas policisë dyshohet të ketë qenë në fazën fillestare të sëmundjes. Të paktën kështu dyshon grupi hetimor, bazuar nga deklarata e kunatës së saj, e cila ndodhej në shtëpi në momentin kur ajo u hodh nga ballkoni. Sipas motrës së bashkëshortit të Shqipe Mustafës, pak minuta para se ajo të kryente veprimin fatal, viktima kishte filluar të fliste fjalë pa kuptim. Ka qenë bashkëshorti i saj, i cili punonte si infermier në spital, që e ka parë të shtrirë në trotuar dhe i është afruar për t’i dhënë ndihmë, duke e parë se kishte shenja jete. Ai e ka transportuar të shoqen menjëherë në Spitalin Ushtarak, por gruaja ka ndërruar jetë brenda pak minutash. e.d