E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bonot e Thesarit, rekord i ri në 9.30 për qind

Pas rritjes së interesit të bonove të Thesarit me afat njëvjeçar dhe tremujor maturimi, ditët e fundit në tregun e letrave me vlerë është shënuar edhe rezultat i ri po në këtë drejtim 

TIRANE-Bonot e Thesarit me afat njëvjeçar maturimi arritën dje një rekord të ri, duke u shitur me interes 9.30 për qind. Në ankandin e fundit interesi ishte 9.29%. Po kështu në rritje ishte edhe interesi i letrave me vlerë 3-mujore, që u rritën në 6.34%, nga 6.31%, që ishte interesi në ankandin e mëparshëm. Pas rritjes së interesit të bonove të Thesarit me afat njëvjeçar dhe tremujor maturimi, ditët e fundit në tregun e letrave me vlerë është shënuar edhe rezultat i ri po në këtë drejtim. Banka e Shqipërisë njoftoi se në një nga ankandet e fundit, të zhvilluar në selinë e saj me porosi të Ministrisë së Financave, gjatë shitjes së obligacioneve shtetërore 2-vjeçare është shënuar sërish rritje e interesit të tyre. Nga 9.45% që ishte interesi i tyre në ankandin më të fundit, të zhvilluar në muajin korrik të këtij viti, tashmë obligacionet me maturim 24-mujor u sjellin zotëruesve të tyre një fitim vjetor prej 9.55 përqindësh. Kjo shpreh, ashtu si edhe në rastin e bonove, një kërkesë gjithnjë e më të madhe për likuiditete nga qeveria shqiptare, ndërkohë që oferta ka qenë më e vogël, nga që bankat e nivelit të dytë kanë pasur më pak para në dispozicion. Kështu, edhe në ankandin e fundit, nga 3.2 miliardë lekë që ka kërkuar qeveria, janë realizuar vetëm 3 miliardë lekë obligacione, gjë që ka rritur normën e interesit. Këto letra me vlerë, që kanë arritur në prill të shiten edhe me 9.61%, më parë shiteshin me përfitime më se 1% më të vogla për mbajtësit e tyre. Por këtë vit, interesi më i lartë është shënuar nga obligacionet 5-vjeçare.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›