E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria e re, nisin nesër negociatat Berisha-Meta

Nisin nesër negociatatat mes PD e LSI të cilat do ti hapin rrugë krijimit të qeverisë së re. Gjatë konferencës së djeshme, kreu i qeverisë bëri të ditur se numri i ministrive nuk do të ndryshojë 

TIRANE- Nesër nisin negociatat mes Berishës dhe Metës për krijimin e qeverisë së re, e cila sipas deklaratave të dy lidërve një ditë më parë, do të jetë gati deri më 7 shtator, datë e dekretuar prej presidentit për seancën e parë të Kuvendit të ri. Më pas, gjatë fundjavës Berisha do të vijojë takimet edhe me aleatët për të formatuar përfundimisht qeverinë e re.
Gjatë konferencës së djeshme, kreu i qeverisë bëri të ditur se numri i ministrive nuk do të ndryshojë, sikurse edhe modeli i Këshillit të Ministrave, pavarësisht aleancave. Mbledhja e fundit e qeverisë aktuale pritet të mbahet ditën e nesërme dhe më pas takimi mes Metës dhe Berishës do ti hapë rrugë krijimit të qeverisë së re me një koalicion të konfirmuar mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Burime nga LSI pohojnë se negociatat do të zhvillohen gjatë pasdites së nesërme në orën 18:30 minuta në selinë e kryesisë së Kuvendit. Burime nga selitë e dy partive pohojnë se LSI-së do ti ofrohen 3 poste ministrore , ku më të përfolurat janë ai i Ekonomisë, Shëndetësisë dhe Ministria e Jashtme si dhe disa poste zëvendës ministrore.
Në komunikimin e djeshëm për mediat, kryeministri Sali Berisha tha se Kushtetuta garanton të drejtën e krijimit të qeverisë për partinë e parë që garanton shumicën, dhe ky propozim mund të bëhet edhe në prag të mbledhjes së Parlamentit. “Kushtetuta parashikon afatin 10 ditor, si detyrim për kryeministrin e ri për të paraqitur programin në kuvend” u shpreh Berisha.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›