E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masa e rimbursimit për bonot e privatizimit

23/02/2010 Legalizimi i objekteve informate, shlyerja e pagesës për pronësinë nëpërmjet bonove

Lista e personave që duhet të paraqiten për marrjen e legalizimit të shtesave pa leje

Personat që janë në proces legalizimi të objekteve informale, për shlyerjen e pagesës së pronësisë mbi parcelën mund të përdorin bonot e privatizimit. Për këtë ata fillimisht duhet të depozitojnë pranë ALUIZNI-t kërkesën për zyrtarizmin e pagesës nëpërmjet bonove të privatizimit. Në varësi të hapësirës gjeografike ku shtrihet objekti informal dhe sipërfaqes që ai zë, masa e rimbursimit të këtyre bonove do të jetë e ndryshme. Burimet zyrtare të ALUIZNI-t kanë deklaruar gjatë ditës së djeshme se me hyrjen në fuqi të ndryshimeve të bëra në ligjin e miratuar në fillim të muajit shkurt, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, parashikohen si formë alternative pagese për parcelën ndërtimore të objektit informal bonot e privatizimit, krahas pagesës në lekë, në vlerë të plotë monetare. Ndërkohë bëjnë përjashtim nga ky rregull objektet informale me destinacion socialekonomik apo që shfrytëzohen sipas këtij destinacioni dhe shtesat informale në objekte me leje.

Aplikimi

Poseduesit e objekteve informale me funksion banimi, apo të përzier, të kualifikuara për legalizim, me hyrjen në fuqi të ligjit kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesë për pagesën e parcelës ndërtimore me bono privatizimi. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ndryshuar, ata duhet të paraqesin kërkesën pranë drejtorive rajonale të ALUIZNI-t për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono. Sipas ndryshimeve të bëra, është vendosur që përqindjet e përdorimit të bonove të privatizimit të ndahen sipas vendndodhjes së objektit informal dhe sipas sipërfaqes së parcelës që kalon në pronësi të poseduesit të ndërtimit informal. Për objektet pa leje në zona informale (jashtë vijës kufizuese të ndërtimit) për sipërfaqe të parcelës nga 1-500 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70 për qind të vlerës me bono privatizimi. Për pjesën e sipërfaqes së parcelës mbi 500 m², e cila llogaritet me çmimin e tregut në çastin e kalimit të pronësisë, ky rregull nuk aplikohet. Për objektet informale të ngritura brenda vijës kufizuese të ndërtimit (vija e verdhë) për sipërfaqe të parcelës nga 1-300 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70 për qind të vlerës me bono privatizimi. Për parcela ndërtimore me sipërfaqe mbi 300 m², vlera e të cilave llogaritet me çmimin e tregut në çastin e kalimit të pronësisë, deri në 50 për qind të vlerës pagesa mund të bëhet me bono privatizimi.

Lehtësitë

Ligji parashikon gjithashtu që të zbatojë dhe një sërë lehtësish të tjera, që do të shkojnë në favor të kategorive që janë posedues të objekteve informale, por që kanë kryer pagesa të mëparshme për parcelën ndërtimore të objektit përkatës. Këto subjekte, për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë, në këmbim të bonove të privatizimit kanë të drejtë që brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit të ndryshuar të paraqesin kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI-t. Procedurat dhe afatet për rimbursimin e tyre do të rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›