Bonot e thesarit, BSH-ja ul interesin për bonot 3-mujore
Interesat e bonove të thesarit me afat maturimi 3-mujor kanë nisur të ulen për herë të parë pas disa muajsh rritjeje. Në ankandin e fundit të zhvilluar nga Banka Qendrore, vetëm dy ditë më parë, interesat e bonove 3-mujore ranë në 5.99 për qind, kur në ankandin e mëparshëm interesat për bonot me afat të njëjtë maturimi ishin 6.3 për qind. Rënia e interesit të bonove ndodhi pak ditë pasi Banka e Shqipërisë kishte marrë vendim për uljen e normës bazë të interesit me 0.5 për qind. Por ekspertët e Bankës Qendrore thonë se është ende herët për të dhënë një vlerësim përfundimtar nëse kostoja e borxhit shtetëror ka filluar më në fund kurbën rënëse, pas rritjes së fortë që shënoi gjatë muajve të fundit të vitit të kaluar. Ata presin reagimin e tregut edhe për interesat e bonove me afat maturimi 1-vjeçar nga të cilat përcaktohen edhe normat e interesave të kredive që bankat japin për qytetarët dhe bizneset. Në ankandin e fundit të zhvilluar në janar, përpara uljes së normës së interesit, bonot 1-vjeçare kapën nivelin maksimal të viteve të fundit mbi 8.95 për qind. Ekspertët thonë se presin që efekti i normës së interesit të jetë më i madh në uljen e interesit të bonove, por gjithçka do të varet nga kërkesa e qeverisë për borxh. Nëse kërkesa e qeverisë do të vazhdojë të jetë e lartë, atëherë interesat e bonove mund të mbeten në nivelet e larta aktuale duke rrezikuar që edhe interesat e kredive për qytetarët të mbeten të larta.
9 Shkurt 2009