E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bonot e thesarit, investimi më i mirë për kursimet gjatë kohës së krizës



Ervin Koçi

Bonot e thesarit konsiderohen si investimi më i mirë dhe më i sigurt i kursimeve apo i parave për ata që i kanë dhe nuk dinë ku t’i investojnë gjatë kësaj kohe kur kriza financiare po thellohet. Sipas ekspertëve të bankave, një investim i tillë mbetet më i sigurti dhe më me leverdi për momentin. Interesi i bonove të thesarit në vend është ndjeshëm shumë më lart edhe sesa interesi i depozitave bankare. Kështu, bonot njëvjeçare ofrojnë një kthim 8.5 për qind, ndërkohë që depozitat me afat në të gjitha bankat e nivelit të dytë në vend nuk e kalojnë nivelin e 7 për qindëshit në vit. Në ankandin e fundit interesi i bonove 12-mujore ishte 8.46 për qind, niveli më i lartë që prej fillimit të vitit 2006, ku interesi i bonove ishte 6.47 për qind. Por rritja e interesit të bonove ndikon ndjeshëm edhe në shtrenjtimin e kredisë. Kjo pasi shumica e bankave, interesin e kredive në lekë e vendosin në bazë të interesit të Bonove të Thesarit, plus një përqindje të caktuar nga secila bankë.

Kontrolli mbi borxhin qeveritar

Megjithëse Banka e Shqipërisë mbetet një nga mbajtëset kryesore të borxhit qeveritar, pjesa tjetër e këtij borxhi kontrollohet nga pak banka të nivelit të dytë, që në raste të caktuara mundohen që të shfaqin ndikimin e tyre në përcaktimin e interesave. Kostoja e borxhit qeveritar ka pësuar një rritje të re gjatë fundit të vitit 2008, periudhë në të cilën bankat duket se janë më të interesuara për të drejtuar në favor të tyre interesat në rritje. Interesat e borxhit qeveritar i janë ofruar ndjeshëm nivele më të larta të emetuara gjatë viteve të fundit, pavarësisht premtimit të Ministrisë së Financave për një kosto në ulje të borxhit të brendshëm. Gjatë gjithë vitit 2008 Ministria e Financave ka paraqitur skemën e saj për rritjen e afatit të maturimit të borxhit qeveritar dhe për shtimin e pjesëmarrësve në ankandet e emetimit të bonove të thesarit, që mbeten edhe instrumentet kryesore të marrjes borxh të qeverisë. Por, pavarësisht këtij fakti, kostoja e borxhit qeveritar është e lartë. Niveli prej 8.5 përqindësh i bonove të thesarit, që në dallim nga depozitat e kthejnë interesin që në fillim të periudhës, mbetet tepër i lartë.

Kredia më e shtrenjtë

Një pjesë e bankave të nivelit të dytë dhe e institucioneve të ndryshme financiare e përdorin nivelin e interesave të borxhit qeveritar si interes bazë për të dhënë një kredi. Mbi këtë interes caktohet një shtesë tjetër interesi për riskun që mbart klienti. Kështu, niveli i interesave të borxhit qeveritar është një nga faktorët kryesorë në caktimin e interesave tregtarë të bankave të nivelit të dytë. Një bankë nuk mund të japë kredi me risk poshtë nivelit të interesave që shet qeveria letrat me vlerë, pasi ajo është e lirë në blerjen e këtyre investimeve në treg.

BSH-ja nxjerr në shitje 8 miliardë lekë bono thesari

Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, publikoi dje shumën që doli në shitje me ankand për 8 miliardë lekë bono thesari të qeverisë. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë BSH-së, në ankandin e Ministrisë së Financave, që do të zhvillohet më 20 dhjetor 2008, do të dalin për shitje bono thesari me maturim 6 dhe 3-mujor, të cilat do të përdoren për Bankën e Shqipërisë dhe për bankat e nivelit të dytë në vend. Këto bono do të emetohen respektivisht në datat 21.06.2009 dhe 23.03.2009.

16 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›