E Diel, 1 Nëntor 2026

Hidrokarburet, Komisioni i Ekonomisë miraton ndryshimet fiskale



Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje projektligjin për një ndryshim në ligjin "Për sistemin fiskal në sektorin e hidrokarbureve (kërkim-prodhim)".
Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Ekonomisë, ndryshimet në projektligj synojnë përputhshmërinë e sistemit fiskal që vepron në industrinë minerare në tërësi dhe në sektorin hidrokarbur, shton taksën për rentën minerare dhe përcakton mënyrën e përllogaritjes së vjeljes së taksës së rentës minerare, sipas ligjit "Për taksat kombëtare".
Miratimi i këtij projektligji do të bëjë të mundur që dhe në sektorin hidrokarbur për veprimtarinë e kërkimit dhe prodhimit, të gjejnë zbatim konkret dispozitat e ligjit "Për taksat kombëtare", duke i reflektuar ato në marrëveshjet hidrokarbure që janë në fuqi, si dhe në ato që do të negociohen dhe do të miratohen në të ardhmen. Sistemi fiskal në sektorin hidrokarbur është administruar nëpërmjet ligjit "Për miratimin me ndryshime të dekretit Nr. 782 ‘Për sistemin fiskal në sektorin e hidrokarbureve’”, i cili është pjesë e paketës ligjore që rregullon të gjithë veprimtarinë e kërkim-prodhimit të hidrokarbureve në vendin tonë. Ndërkohë me miratimin e ligjit "Për taksat kombëtare", për çdo person fizik apo juridik që është licencuar dhe vepron në industrinë minerare në tërësi (përfshirë dhe industrinë e hidrokarbureve), është përcaktuar detyrimi për të paguar taksën e rentës minerare për burimet natyrore. Në rastin e naftës bruto dhe të gazit natyror është 10 për qind e sasisë së nxjerrë nga nëntoka e territorit të Republikës së Shqipërisë. Përfaqësuesit e METE-s thanë gjithashtu se ndërhyrja ligjore është e nevojshme për të bërë të mundur rregullimin dhe pajtueshmërinë e dy ligjeve lidhur me zbatimin e taksës së rentës minerare, në masën 10 për qind përkrah tatimit mbi fitimin, si dhe vjeljen vetëm në lekë të saj, bashkë me përcaktimin e afatit të pagesës, brenda datës 15 të muajit pasardhës.

OSSH-ja, tender për energjinë e tre muajve të parë të vitit 2009

OSSH-ja zhvilloi dje tenderin e hapur për sigurimin e energjisë së humbur për 3-mujorin e parë të vitit 2009. Në këtë tender morën pjesë 9 kompani: “EZPADA”, “EGL”, “EFT”, “CEZ”, “RUDNAP”, “RETRADING”, “GEN-I”, “ATEL” dhe “GSA”. Pas vendosjes së bazës maksimale që Operatori i Sistemit të Shpërndarjes e ka të nevojshme për muajt janar, shkurt dhe mars edhe kompanitë tenderuese prezantuan ofertat përkatëse. Komisioni i ofertave, me kryetar Ilirian Shkëmbin, pasi ka dëgjuar fuqinë, sasinë, çmimin dhe vlerën që ka ofruar secila prej kompanive dhe pasi bëri verifikimet e dokumentacionit të dorëzuar, njoftoi se do të japë një përgjigje brenda afatit kohor që parashikon ligji. OSSH-ja ka kërkuar blerjen e rreth 500 megavat-orë energji elektrike, me një vlerë totale prej 51 milionë eurosh. Kompania serbo-zvicerane “EFT” ka ofruar çmimet më të lira dhe sasinë më të madhe të energjisë. Fituesi i këtij tenderi do të shpallet brenda 10 ditësh.

16 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›