Bonot e thesarit, në nivelin më të lartë të tre viteve
Investimi në bono thesari është investimi më i mirë për momentin. Interesi i bonove është ndjeshëm shumë më lart interesit të depozitave. Kështu bonot një vjeçare ofrojnë një kthim prej 8.5%, ndërkohë që depozitat me afat në të gjitha bankat e nivelit të dytë nuk e kalojnë nivelin e 7% në vit. Por rritja e interesit të bonove ndikon ndjeshëm edhe në shtrenjtimin e kredisë. Kjo pasi shumica e bankave interesin e kredive në lekë e vendosin në bazë të interesit të Bonove të thesarit plus një përqindje të caktuar nga secila bankë.
TIRANE- Interesi i bonove të thesarit ka arritur maksimumin. Në ankandin e fundit interesi i bonove 12 mujore është 8.46%, niveli më i lartë që prej fillimit të vitit 2006, ku interesi i bonove ishte 6.47%.
Kostoja e borxhit qeveritar ka pësuar një rritje të re gjatë fundit të vitit 2008, periudhë në të cilën bankat duket se janë më të interesuara për të drejtuar në favor të tyre interesat në rritje.
Interesat e borxhit qeveritar i janë ofruar ndjeshëm nivele më të larta të emetuara gjatë viteve të fundit, pavarësisht premtimit të Ministrisë së Financave për një kosto në ulje të borxhit të brendshëm.
Kontrolli mbi borxhin qeveritar
Megjithëse Banka e Shqipërisë mbetet një nga mbajtësit kryesorë të borxhit qeveritar, pjesa tjetër e këtij borxhi kontrollohet nga pak banka të nivelit të dytë, që në raste të caktuara mundohen që të shfaqin ndikimin e tyre në përcaktimin e interesave. Gjatë gjithë vitit 2008 Ministria e Financave ka paraqitur skemën e saj për rritjen e afatit të maturimit të borxhit qeveritar dhe për shtimin e pjesëmarrësve në ankandet e emetimit të bonove të thesarit, që mbeten edhe instrumentet kryesore të marrjes borxh të qeverisë. Por, pavarësisht këtij fakti, kostoja e borxhit qeveritar është e lartë. Niveli prej 8.5% i bonove të thesarit, që në dallim nga depozitat e kthejnë interesin që në fillim të periudhës, mbetet tepër i lartë.
Kredia më e shtrenjtë
Një pjesë e bankave të nivelit të dytë dhe institucioneve të ndryshme financiare e përdorin nivelin e interesave të borxhit qeveritar, si interes bazë për të dhënë një kredi. Mbi këtë interes caktohet një shtesë tjetër interesi për riskun që mbart klienti. Kështu, niveli i interesave të borxhit qeveritar është një nga faktorët kryesorë në caktimin e interesave tregtarë të bankave të nivelit të dytë. Një bankë nuk mund të japë kredi me risk poshtë nivelit të interesave që shet qeveria letrat me vlerë, pasi ajo është e lirë në blerjen e këtyre investimeve në treg.