E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora, Nishani: Telefonata false për ndihmë nga kafenetë e Tiranës

TIRANE- Ministri i Brendshëm Bujar Nishani komentoi sot në mbrëmje në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” situatën e krijaur në vend nga reshjet e borës, e cilësuar si fatkeqësi natyrore. Situata u komentua edhe nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili në një lidhje direkte.

Nishani tha se aktualisht, “Gjendja është përmirësuar në dy aspekte, sot s’ka pasur reshje intensive të borës, temperaturat janë rritur me 3-4 gradë. Janë rreth 50 komuna të bllokuara, por gjendja e emergjencës u shpall prej bllokimit të një sërë aksesh rrugore, një rrjet i tërë bllokimi nga reshjet që zgjatën për një kohë të gjatë”, tha ai:

I pyetur se a u gjetën të papërgatitura strukturat e emergjencave civile, Nishani u shprheh se “Kjo situatë nuk na ka gjetur të papërgatitur, pasi strukturat përkatëse dhe ministri i Brendshëm ka pasur një turne në të gjitha qarqet për përballimin e situatës dhe po vazhdon ta përballojë edhe tani”, tha Nishani më tej.

I pyetur për kostot e emergjencës dhe fondin për përballimin e saj, ministri Nishani deklaron se kostot e operacionit do të jenë rreth 400 milionë dollarë, po kaq është llogaritur edhe fondi i vënë në dispozicion. Këto shpenzime do të mbulohen nga një fond për emergjencat i ngritur enkas nga ministria, fondi është përllogaritur në bazë të kërkesave të kryetarëve të komunave të veçanta. Për më tepër Këshilli i Ministrave ka në dispozicion një tjetër fond të sajin i cili shërben pikërisht për raste emergjencash.

I pyetur nëse po realizohen vërtet këto operacione të vështira shpëtimi e ndihme apo është më shumë një spektakolarizim i situatës, ministri Nishani përgjigjet se nuk ka spektakolarizim por se operacionet e shpëtimit e ndihmës janë kryer në shërbim të qytetarëve të zonave më të thella e të izoluara, duke qenë se atje është kërkuar ndërhyrja e Shtabit të Emergjencave nga prefektët dhe kryetarët e komunave për shkak të vështirësisë në komunikim.

Nishani deklaron se akset kryesore nacionale janë të gjitha të hapura e të praktikueshme. Me gjithë vështirësitë e hasura për shkak të reshjeve të dendura e motit veçanërisht të ftohtë është bërë përpjekje që këto akse të mbahen të hapura. Ministri ka thënë se janë disa komuna të veçanta të cilat për shkak të borës kanë ngelur të bllokuara dhe është pikërisht në këto komuna që është ndërhyrë me ndihma ushqimore për të lehtësuar përballjen me emergjencën.

Zoti ministër kur do të hapen edhe rrugët të cilat lidhin komunat me mbi dy mijë banorë, duke qenë se nëpërmjet tyre kalon çdo gjë?

“Nuk mund të bëhet një konsideratë në bllok, për të gjitha fshatrat e komunat. Në gjithë territorin janë 40 borëpastruese dhe 46 fadroma, këto mjete janë në pronësi të kompanive private të kontraktuara dhe jo të ministrisë apo qeverisë, disa nga këto kompani nuk kanë bërë një punë të mirë në disa vende por në disa nga zonat më të vështira si Tropoja edhe këto mjete nuk mund të bëjnë dot gjë duke qenë se reshjet kanë qenë shumë të dendura.
Ne po mundohemi të krijojmë një rrjet rrugësh të kalueshme qoftë edhe me zinxhirë për të mundësuar lidhjen e zonave”.

Ministri tha se sipas parashikimit të motit për katër ditët e ardhshme mendohet se do të ketë një ngritje të lehtë të temperaturave, gjë që do të mundësojë rritjen e përpjekjeve për hapjen e rrugëve.

Ministri Nishani ka kujtuar edhe një herë qytetarët që të kontribuojnë në përmirësimin e gjendjes duke pastruar çatitë e banesave nga dëbora për të shmangur fatkeqësi të ndryshme.

Ministri i Brendshëm në përfundim ka falënderuar televizionin News24 për kontributin e dhënë gjatë këtyre ditëve.

TELEFONATA FALSE PËR NDIHMË NGA KAFENETË E TIRANËS
Ministri Nishani komentoi më tej se situata e krijuar në veri dhe verilindje është zmadhuar nga persona që kryenin telefonata false.

“Për situatën e krijuar nga bora ka pasur dhe janë verifikuar telefonata false nga kafenetë e Tiranës. Është krijuar një situatë alarmante false, se gjoja janë banorë të izoluar në veri”, tha Nishani.

VASILI: PERSONEL MJEKËSOR NË CDO ZONË
Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili, i pyetur për mbulimni e situatës së krijuar për shkak se banorë në zona veriore dhe verilindore të vendit qëndrojnë prej ditësh të bllokaur nga dëbora, bëri me dije se i gjithë territori i vendit mbulohet nga personel mjekësor.
“I gjithë territori është i mbuluar me personel shëndetësor, jo e nisur vetëm nga kjo situatë. Ky mbulim ka qënë llogjika dhe mënyra e funkionimit në këto ditë. Në radhë të parë ne vlerësojmë gjendjen shëndetësore, dhe në përputhje me të trajtohen ose në spital rajonal, ose në spitalin e rrethit ose në Tiranë. Nga 14 raste sot, 11 prej tyre u trajtuan në spitalet tona rajonale dhe vetëm 3 u trajtuan në Tiranë”,- bëri me dije Vasili.

Ministri i Shëndetësisë bëri me dije se në spitalet rajonale shikohen me prioritet nga shtabi i emergjencave, ndërkohë bëri me dije se e gjthë puna është e koordinuar në mënyrë që tu vihet në ndihmë cdo banori në vështirësi.

“Zinxhiri është i qartë, ai fillon nga vendi ku ndodh ngjarja, i pari njoftohet drejtori i qëndrës, i cili lajmëron shtabin qëndror që ndodhet në spitalin rajonal dhe drejtori i spitalit vendos transportin emergjent ose këshillimin, në rast se trsnporti i bën dëm. Kur vendoset transporti atëherë niset në spitalin rajonal më të afërm ose në qendrën mjekësore të Tiranës”,- sqaroi Vasili.

(vijon)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›