Bora bllokon 180 mjete me udhëtarë
PESHKOPI/ HASAN PASHA
Të paktën 180 mjete kryesisht furgonë u bllokuan që nga ora 15:00 e ditës së djeshme në rrugët rurale dhe nacionale të Qarkut të Dibrës. Bora që nisi prej orëve të para të së premtes paralizoi çdo lëvizje. Gjendje e rëndë ka qenë mbrëmë në Qafë-Ulëz e Qafë-Buall. Një bot me karburant, i cili u rrëzua duke dalë nga rruga, në Qafë-Buall u bë shkaktari për të bllokuar mjetet e tjera që kishin si destinacion Tiranën ose ktheheshin nga kryeqyteti për në qytetet e Peshkopisë. Por, mungesa e mjeteve që mirëmbajnë rrugët e më pas dhe atyre të emergjencës, brenda pak orësh shkaktoi izolimin e dhjetëra mjeteve me udhëtarë në mes të borës. Drejtori i Rrugëve Nacionale, Durim Balla dhe drejtori i Policisë së Qarkut Dibër, Ali Elezi thanë se situata në rrethet Mat, Bulqizë e Dibër ishte dje mjaft e rëndë. Ndërmarrja e Rrugëve Nacionale dhe firmat që kanë fituar tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve janë gjetur në befasi dhe nuk kanë arritur të mbajnë në gatishmëri akset rrugore. Drejtori i Policisë sqaroi se trashësia e dëborës në qytetin e Peshkopisë arriti mbi 50 cm, ndërkohë që në komunat Lurë, Kala e Dodës, Selishtë, Ostren, Macukull, Xibër, etj trashësia e dëborës ishte dje në mbrëmje mbi një metër. Sipas Elezit, efektivat e policisë kanë nisur punën me intensitet, në mënyrë për të nxjerrë nga izolimi 10 furgonë që lëviznin në drejtim të Zallë Dardhës, 30 furgonë që ishin bllokuar në vendin e quajtur “Kthesa e tankut”, 50 furgonë të bllokuar tek Ura e qytetit në Bulqizë dhe mbi 100 mjete në Qafën e Buallit. Ndërkohë rreth orës 17:00, drejtori i policisë Dibër ka urdhëruar bllokimin e të gjitha mjeteve që lëviznin në drejtim të drejtimin Klos-Bulqizë dhe Bulqizë-Peshkopi e anasjelltas, për të mos u bllokuar në rrugë. Rreth orës 21:00, në pamundësi për të vazhduar rrugën, kryebashkiaku i Bulqizës, Roland Keta pohoi se po bëhet evakuimi me fuoristrada i udhëtarëve për t’i strehuar gjatë natës në qytet. Sipas Ketës, ndonëse për situatën u lajmërua në kohë, ndërmarrja e rrugëve nuk veproi shpejt për të evituar bllokimin. Aksi tjetër problematik ishte ai Ulëz-Burrel. Mjetet e firmës që është kontraktuar për mirëmbajtjen e rrugës nuk kanë arritur të mbajnë në gatishmëri rrugën. Mbi 70 mjete janë bllokuar, brenda të cilëve ndodheshin dhe gra e fëmijë. Në mbrëmje u mendua se rruga po hapej, por nga udhëtarët pohohej se gjendja ishte tejet e rëndë, pasi dhe temperaturat ishin shumë të ulëta dhe era sa vinte bëhej më e ftohtë. Alarmi i dhënë nga udhëtarët e bllokuar në mes të borës bëri që mblidhet Shtabi Qendror i Emergjencave Civile, kryesuar nga zv.kryeministri Pollo, me prezencën e ministrave, drejtorin e Emergjencave, shefin e shtabit të përgjithshëm, drejtorin e policisë, të OSSH-së, të OST-së dhe atij të Rrugëve. Shtabi vendosi që faroma të ushtrisë të niseshin për në Bulqizë dhe Pukë për të ndihmuar në mbajtjen hapur të rrugëve. Situata energjetike është cilësuar e rëndë. Linja e tensionit të lartë Bulqizë-Peshkopi, ajo e Kurbneshit/Mirditë dhe e Librazhdit janë shkëputur për shkak të dëborës e stuhisë dhe furnizimi është ndërprerë.