E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjanica tmerron sërish, përmbyt shtëpi e tregun

 

FIER - Shirat pranverorë kanë shkaktuar tronditje për qytetarët fierakë. Minutat e para me shi kanë krijuar moçale nëpër qytet, por gjatë pasdites u shënuan përmbytjet, duke i bërë rrugët të pakalueshme e duke rrezikuar seriozisht jetën e qytetarëve. Problemi i përhershëm, lumi Gjanica, edhe këtë herë ka dalë nga shtrati, duke përmbytur gjithë pjesën e tregut industrial për të përfunduar te shtëpitë që ndodhen përgjatë tij. Edhe pse dje nuk dihej saktësisht numri i saktë i banesave të përmbytura, mendohet se mund të jenë më shumë se 90 të tilla përgjatë gjithë rrjedhës së lumit. Gjatë orëve të pasdites së vonë me qindra banorë janë detyruar të evakuohen nga banesat e tyre, duke marrë prej aty vetëm gjërat më të nevojshme. Ashtu si përherë, ata i kanë lënë shtëpitë e tyre në mëshirë të fatit, duke shpresuar që rrjedha e pamëshirshme të mos marrë me vete çdo gjë që i del para. Situatën alarmante e pohojnë burimet pranë shtabit të emergjencës. Kreu i saj, Viron Balla, i cili ka inspektuar zonat e përmbytura, deklaroi dje se situata sa vjen e vështirësohet, ndaj edhe banorët nuk duhet të kthehen në shtëpi. Për të sensibilizuar banorët, në vendet më të rrezikuara kanë mbërritur edhe specialistë të Bashkisë Fier, të cilët janë shprehur se po merren masa konkrete për parandalimin e përmbytjeve. “Është një situatë tejet alarmante dhe shumë e rrezikshme. Gjanica ka dalë nga shtrati, duke treguar edhe një herë se në kohë reshjesh lumi bëhet i rrezikshëm”. Situata pritej që të rëndohej gjatë orëve të natës, pasi reshjet nuk u ndërprenë në asnjë moment. Inspektime të veçanta janë ndërmarrë në grykëderdhjen e lumit Vjosë e deri në brigjet e poshtme të Gjanicës, ku rreziku është edhe më i madh. Gjithsesi, sipas specialistëve, banorët duhet të qëndrojnë larg banesave të tyre për të evituar çdo rrezik të mundshëm. Sipas kreut të emergjencave civile Balla, lumi Vjosë e Seman mund të kthehen në të rrezikshme gjatë orëve të natës.
Nga reshjet janë prekur disa biznese të vendosura në zona të ulëta e sidomos në lagjet periferike, ku mësohet se nën ujë janë 5 pika tregtimi me shumicë. Ndërkohë përmbytje ka pasur edhe në disa shtëpi të ndërtuara kohët e fundit në lagjen “Afrimi i Ri”, në periferi të qytetit të Fierit. Mosfunksionimi i kolektorëve dhe shimbledhësve ka shkaktuar përmbytje në një pjesë të mirë të rrugëve të brendshme, e ndërsa kaotike situata ka qenë në hyrje e dalje të qytetit. Pikërisht në autostradën Lushnjë-Fier, në afërsi të komunës Mbrostar kanë mbetur të bllokuar 200 mjete, duke ngadalësuar e bllokuar hyrjen për në qytet. Situata është përballuar me ndërhyrjen e forcave të policisë që kanë mbërritur në vendngjarje.              m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›