E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, Rama: Bëhemi problem në NATO

 

Aristir Lumezi

Kartat e identitetit kanë përplasur dje Jozefina Topallin me Edi Ramën. Gjatë konferencës së shoqatës së Atlantikut të Veriut “NATO-60 vjet në të mirë të sigurisë ndërkombëtare”, ku morën pjesë edhe zëvendësambasadori i SHBA-së, Stephen Cristina, Edi Rama shprehu shqetësimin e tij lidhur me procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti dhe refuzimit nga ana e Kryeministrit Berisha të propozimit për dhënien e kartave falas për të gjithë ata shtetas që nuk kanë pasaporta me jashtë. “Jemi të shqetësuar që procesi parazgjedhor po shkon drejt një qorrsokaku, ku vendi në NATO, mund të kthehet në problem për të gjithë. Është koha që të gjithë së bashku, pa kufij, mes palëve në Kuvend, të bëjmë përpjekje të përbashkët për ta shpëtuar nga dështimi. Duhet të tregojmë se jemi në gjendje të kapërcejmë vështirësitë në prag të një momenti kyç, siç janë zgjedhjet”, tha Rama. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetares së Kuvendit, e cila bashkë me Ramën ishin të ftuar në këtë konferencë. Topalli kërkoi nga të gjithë që ditën e zgjedhjeve ta konsiderojnë si festë, ndërsa i ftoi kryetarët e partive të mos kenë fobi nga zgjedhjet. “Pas anëtarësimit në NATO, theksoi Kryetarja e Kuvendit, ne do kemi zgjedhjet. Unë jam shumë e lumtur që procesi i shpërndarjes së kartave të identitetit po ecën shumë normalisht. Unë jam shumë e kënaqur që pas 18 vitesh si asnjë herë tjetër, në zgjedhjet e ardhshme ne do shkojmë me infrastrukturën më moderne. Unë uroj që politikanë që drejtojnë partitë, ditën e zgjedhjeve ta shohin si një ditë feste. Dy ditë më parë takova një të njohur që po më thoshte se kishte frikë, kishte fobi të hipte në avion. Unë nuk mendoj që ata që drejtojnë partitë duhet të kenë frikë nga zgjedhjet, nuk mendoj që ata duhet të kenë fobi nga zgjedhjet, siç ndodh me disa. Ajo ditë duhet të jetë ditë feste dhe unë jam shumë e sigurt që dita e zgjedhjeve do të jetë ditë feste”, tha Topalli. Opozita dhe maxhoranca ndajnë qëndrime të ndryshme lidhur me procesin e pajisjes së shtetasve me karta identiteti. Opozita ka shprehur shqetësimin se përveç procesit të ngadaltë dhe të dyshimtë për t’u arritur deri në 28 qershor, një pjesë e mirë e shtetasve, rreth 600 mijë rrezikohen të mbeten pa votuar, pasi nuk kanë mundësi financiare për të paguar tarifën e kartës. Për këtë ata kanë kërkuar që kjo kategori të pajiset falas me karta identiteti, kërkesë që është hedhur poshtë nga Kryeministri Berisha. Replikat mes Ramës dhe Topallit u shkëmbyen gjatë konferencës me temë 60-vjetorin e NATO-s dhe në prag të aderimit të Shqipërisë me të drejta të plota. Në këtë kontekst kryeparlamentarja Topalli tha se, “vendi arriti këtë ëndërr falë lidershipit të saj të fortë. Në më pak se dy javë, ne shqiptarët kudo që jemi, do të përjetojmë momentin e mrekullisë së jetësimit të një ëndrre në sirtar të prindërve tanë dhe të ndjehemi të shpërblyer në përpjekjet tona dhe të bekuar që ia arritëm të jetojmë këtë moment të rikthimit në Evropën e vullnetit të lirë, të guximit dhe drejtësisë. Të gjitha këto nuk do të arriheshin pa një lidership të fortë. Liderët e fortë kanë kurajo, guxuan të shohin Shqipërinë në NATO, dhe ia dolëm të fitojmë NATO-n. Liderët e fortë natyrisht shohin me optimizëm përpara”, tha Topalli.

Balla: t’i permbahemi deklarates se be
“Duhet t’i përmbahemi deklaratës së përbashkët ndërmjet dy delegacioneve, ku thuhet se ‘lidhur me procesin e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me karta identiteti, në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, avantazhe të tjera financiare duhet të propozohen për qytetarët që i përkasin kategorive të pa-avantazhuara dhe vulnerabile’”, tha Balla.

ODIHR për zgjedhjet
Përfaqësuesit e ODIHR-it vazhdojnë takimet e tyre me përfaqësues të partive politike në Shqipëri për zgjedhjet e 28 qershorit. Kryetari i këtij delegacioni, Gerald Michel, është shprehur se “po bëhet një vlerësim i gjithë fazës përgatitore të zgjedhjeve”. “Ky është një mision standard dhe shteti shqiptar është angazhuar të ftojë dhe bashkëpunojë me vëzhguesit”, u shpreh Michel.

Komisioni ad hoc
Në Parlamentin shqiptar ka nisur nga puna komisioni “ad hoc” për kartat e identitetit, i kërkuar nga socialistët. Ky komisionin, i cili nuk ka fuqi mbi këtë proces, i jep mundësi deputetëve të Kuvendit të kenë akses të drejtpërdrejtë dhe të shpejtë në informacion lidhur me këtë proces dhe njëkohësisht krijon një filtër për të gjithë problematikën e procesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›