E Shtunë, 31 Tetor 2026

Replikë për zëdhënësin larg realitetit

Genci Kojdheli 

Po të isha harbut, do të më duhej ta nisja këtë replikë në përgjigje të shkrimit tuaj z.Rroji, duke ju sharë mbarë e prapë, ashtu siç ju, me shumë mungesë takti, nuk hezitoni të konsideroni gjithë G99 si “karrieristë, meskinë, mashtrues, varrmihës, të paskrupullt, makabër, imoralë”  e kështu me radhë. Por unë nuk e bëj, i respektuar Grid! Nuk është në karakterin tim apo të forcës që unë përfaqësoj që të kompensoj gjithë komplekset e mia politike duke të sharë e akuzuar, pasi në fakt më mungon edhe telefonata urdhëruese që të më instruktojë se si e çfarë të shkruaj. Preferoj që përgjigjja ime të jetë e qetë e pa acarime, sharje e urrejtje, nga të cilat shkrimi yt ka me shumicë.
Na thua që po abuzojmë me dhimbjen e banorëve të Gërdecit, por t’i nuk e di Grid që çdo muaj kemi qenë pranë tyre, për t’u qetësuar sadopak dhimbjet, e për t’i ndihmuar me aq mundësi sa kemi! Ti nuk e di Grid që çdo muaj stafi, anëtarët dhe vullnetarët e G99 kontribuojnë me ndihma financiare simbolike që i dërgojmë tek familjet që humbën gjithçka si pasojë e asaj që ti dhe qeveria jote lehtësisht e quan “aksident teknologjik”! Merr njëherë të vetme guximin të shkosh e t’i takosh banorët e Gërdecit, dhe do të të thonë se si dhe sa të pranishëm kemi qenë ne në dhimbjen e tyre këto 11 muaj! Por jam i sigurt që nuk e ke atë guxim Grid! Ndërsa forca që t’i përfaqëson s’ka hezituar të përdorte arkivolet për të sulmuar Kryeministrinë, ne kemi ndezur veç qirinj e kemi hedhur lule në përkujtim të viktimave! Por me ç’kuptoj nga shkrimi yt, këtë s’duhet e s’mund ta bëjmë, pasi Gërdeci qenka rindërtuar me paratë e dhëna nga qeveria! Janë paratë e shqiptarëve, jo të qeverisë! Dhe nuk mund të justifikojnë këto para vdekjen e 26 shqiptarëve! E trishtë Grid!
Na akuzon se jemi manipulatorë e kriminelë, e që nuk na dhimbset as siguria e as mirëqenia e shqiptarëve. Na thua se po përpiqemi të nxijmë një Shqipëri, e cila nga të gjitha anët ndriçon (sipas teje) progres, prosperitet e siguri. S’di përse, po të tilla megalomanizma më kujtojnë propagandën diktatoriale që e nxirrte Shqipërinë komuniste si vendin më të lumtur në botë! Se sa të sigurt janë shqiptarët ta tregojnë grabitjet me maska e armë që po shtohen çdo ditë dhe rrugët e mbushura me viktima aksidentesh! Se sa të pasur e të punësuar janë shqiptarët ta tregojnë njerëzit që marrin ushqime e ilaçe me listë dhe bizneset që po falimentojnë prej krizës që ju refuzoni të pranoni! Jemi të fundit në Ballkan për turizmin Grid, pavarësisht punës së palodhur të qeverisë tënde për të promovuar me ekspoze Shqipërinë nëpër panairet ndërkombëtare të turizmit!
Ndërkaq, idetë më të mira e praktike që G99 ka propozuar e vazhdojë të propozojë, platformat për arsimin e shëndetësinë, drejtësinë dhe sigurinë e jetës, votën e emigrantëve apo rritjen ekonomike të vendit, sigurisht që tentojnë të vizualizojnë një Shqipëri të së ardhmes që politikanët që janë tanimë në pushtet (e kanë ditur veç ta abuzojnë dhe shtrydhin atë) s’kanë pasur kapacitetin, aftësinë (apo dëshirën) të krijojnë e ndërtojnë. Kjo nuk është risi Grid; është veç realiteti fatkeq (që ti po aq fatkeqësisht s’ke mundësi ta shohësh) që i ka bërë shqiptarët mosbesues për të ardhmen dhe apatikë e të zhgënjyer nga politika e kulisës dhe interesit, e sherrit dhe inatit, e shpifjes dhe akuzës personale. Kjo është arsyeja, i dashur Grid, që Shqipëria është tani i vetmi vend në Ballkan nga i cili çdo shqiptar mesatar, po t’i jepej mundësia, do ikte nga sytë këmbët në kërkim të një fati më të mirë, kudo veç jo këtu! Të na falësh nëse po përpiqemi ta ndryshojmë këtë realitet!
Më habit Grid që nuk heziton të transformohesh rrufeshëm e t’i referohesh politikës amerikane dhe tanimë Presidentit Obama, ndërsa kujtoj që disa ditë para zgjedhjeve dilje me tepër zjarr nëpër televizione duke mbështetur McCain (ndonëse në fshehtësi e dimë të dy që mbështesje tjetërkënd) në ofensivën që maxhoranca jote ndërmori vetëm sepse G99 mbështeste frymën e ndryshimit në Shtetet e Bashkuara! Për ta mbyllur, duke të kërkuar paraprakisht falje për uljen e nivelit të debatit (ndonëse ti s’ke hezituar ta bësh), dua të informoj që Erion Veliaj nget një “Peugeot” dhe jo një “Range Rover”! Eshtë goxha ndryshim Grid! Po aq i madh sa edhe ndryshimi mes ALI G dhe një gazetari investigativ!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›