Kartat, BE: Lehtësi financiare
Aristir Lumezi
Partitë dhe mediat t’i bëjnë thirrje qytetarëve që të aplikojnë për kartat e identitetit, ku do të propozohen masa të mëtejshme financiare për qytetarët në nevojë. Kështu thuhet në deklaratën e përbashkët në përfundim të takimit ndërparlamentar Parlamenti Evropian- Shqipëri. Sipas një paragrafi të propozuar pikërisht nga kreu i delegacionit të PE-së, Doris Pack dhe eurodeputetit italian Tatarrella “ky premtim duhet të konkretizohet në mënyrë të menjëhershme për të përforcuar informacionin e fushatës për qytetarët mbi rëndësinë e sigurimit të kartës së identieittit. Të gjitha partitë politike dhe mediat pjesëmarrëse në fushatën elektorale mund të përshtasin një kod sjelljeje që i detyron ata të përfshijnë në të gjitha mesazhet dhe materialet e fushatës një ftesë që votuesit të shkojnë dhe të aplikojnë për kartat e identitetit, ku do të propozohen masa të mëtejshme e të domosdoshme financiare në avantazh për kategoritë e qytetarëve në nevojë”. Gjithashtu në deklaratë i bëhet thirrje të gjitha forcave politike, medias dhe organizatave joqeveritare si dhe qytetarëve që të përgjigjen me përgjegjshmëri për sfidën e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke shtuar se kontributi i tyre është përmes pjesëmarrjes në këtë proces, e cila do të tregonte se Shqipëria është shkëputur nga tranzicioni. Pjesë e deklaratës është edhe pavarësia e gjyqësorit si dhe prokurorisë së përgjithshme. “Janë marrë rezultate pozitive mbi reformat e nisura në fushën juridike, por Shqipëria inkurajohet të vazhdojë të përmirësojë pavarësinë, transparencën, vlefshmërinë dhe efikasitetin e gjyqësorit si dhe infrastrukturës në gjyqësor dhe të bëjë thirrje për rritjen e mjaftueshme të buxhetit të shtetit të përshtatshëm për këtë sektor, të hedhë hapa para për të përmirësuar pavarësinë dhe cilësinë investigative të zyrës së prokurorit”, thuhet më tej në deklaratë.
Doris Pack
Ndërkohë, në daljen përpara mediave, kryetarja e delegacionit të Parlamentit Evropain, Doris Pack kritikoi iniciativën e Partisë Socialiste për shpërndarjen falas të kartave të identitetit për të gjithë qytetarët deri në zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas saj, në asnjë vend të botës ky dokument nuk jepet falas. Ajo u kërkoi forcave politike që t’u bëjnë thirrje qytetarëve të aplikojnë pranë stacioneve të ngritura për pajisjen me kartën e re. “Ne nuk duhet të krijojmë përshtypjen se karta duhet marrë pa para. Një kartë që jepet pa para nuk ekziston në asnjë vend të botës. Ne i bëjmë thirrje të gjitha partive dhe medias të dilni e thoni që njerëzit të bëjnë kërkesë për kartat e identitetit. Nuk mendoj se opozita duhet t’u thotë njerëzve prisni dhe pak se pas disa muajsh do të jetë pa para. Kjo nuk është mënyra e drejtë. Nëse u vendos në fillim se do të kushtojë 10 euro, apo 7, 6 apo 4 duhet që t’i përmbahen premtimeve dhe t’i bëjnë thirrje njerëzve të aplikojnë për kartat e identitetit”, theksoi Pack. Sipas saj, vlera e fiksuar përmes vendimit të qeverisë për kartat e identitetit është mjaft e vogël dhe krahasuar me numrin e madh të certifikatave që u duhen qytetarëve për t’u pajisur, është me përfitime nga ana e tyre. “Kartat zëvendësojnë të gjitha certifikatat e lindjes për të cilat ju është dashur të kërkoni. Më kanë thënë njerëzit, që u është dashur të marrin 10-12 herë certifikata për arsye të ndryshme. Në rast se shihni se sa i është dashur dikujt të paguajë për të marrë certifikatat e lindjes, të shkojë aty të presë, duke menduar që i është dashur të paguajë 1 euro për çdo herë, tani jemi në një situatë ku më e lira është 4 euro, më e shtrenjta 10 euro”, vijoi më tej Doris Pack.
“PS të mos dekurajojë qytetarët”
PD-ja i kërkoi dje kreut të PS-së, Edi Rama të mos dekurajojë qytetarët, duke u thënë se do t’i marrin kartat e identitetit falas, por t’u bëjë thirrje atyre të aplikojnë. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësi i grupit të PD-së, Aldo Bumçi tha se, “i bëjmë thirrje Ramës që të japë kontributin e tij në këtë proces, duke nxitur të gjithë anëtarët, simpatizantët e PS-së dhe mbarë qytetarët e vendit që të aplikojnë për pajisjen me letërnjoftime dhe jo duke i dekurajuar, siç ka ndodhur deri më sot me propozime aspak të vlefshme”. Sipas tij, “rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve për të aplikuar tashmë që sistemi mbulon mbi 80% të popullsisë së vendit, do të ishte kontributi më i rëndësishëm që PS-ja do t’i bënte këtij procesi”.
Deri tani kanë aplikuar 301 mijë persona
Ministria e Brendshme njoftoi dje se deri në 19 mars kanë aplikuar mbi 301 mijë persona. Në një deklaratë të zëdhënësit të kësaj ministrie, Fatmir Konja, bëhet e ditur se “deri në datën 19 mars 2009 rezulton se kanë aplikuar 301.776 persona dhe janë prodhuar 200.094 letërnjoftime elektronike. Intensiteti i aplikimit është në rritje nga dita në ditë. Aktualisht bëhen 13 mijë aplikime në ditë. Po ashtu intensiteti i prodhimit të kartave po shkon drejt kapacitetit maksimal. Aktualisht po prodhohen 16 mijë letërnjoftime elektronike në ditë”. Gjithashtu mësohet se qytetarët që kanë aplikuar deri në 8 mars kanë gati kartat.
“Do shkoj të aplikoj të hënën”
Meta: Kemi kërkuar prej kohësh karta falas
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha dje se propozimi për karta identiteti falas për ata që nuk kanë pasaporta për jashtë, duhet të gjejë konsensus të gjerë. Sipas tij, një propozim i tillë është bërë nga LSI para disa muajsh. “Ne kemi shprehur prej muajsh këtë ide. Është e rëndësishme që çdo ide dhe propozim të gjejë konsensus sa më të gjerë. Njëkohësisht ne, pas takimeve që kemi zhvilluar edhe me ODIHR-in, presim edhe një mendim apo sugjerim të tyre lidhur me çështjen e kartave të identitetit dhe, pavarësisht nga kjo unë mendoj se ne duhet të kërkojmë nga të gjithë qytetarët shqiptarë që të angazhohen për të aplikuar në kohë dhe për t’u pajisur me karta identiteti sa më shpejtë, para zgjedhjeve, pasi natyrisht ky është një proces, i cili duhet të përparojë”, tha Meta. Kreu i LSI-së tha se do të aplikojë të hënën për kartë identiteti. “Unë ditën e hënë do të aplikoj për kartë identiteti personalisht për t’u bërë thirrje të gjithëve që të aplikojnë dhe të pajisen me karta, pavarësisht se personalisht kam edhe pasaportë diplomatike. Mendoj se është një detyrë qytetare për tu pajisur me kartat identiteti”, tha Meta. Këtë deklaratë kreu i LSI-së e bëri pas takimit me delegacionin e Parlamentit Evropian të kryesuar nga Doris Pack. Duke dhënë vlerësimin e tij për deklaratën e përbashkët të dy delegacioneve parlamentare, Meta tha se qeveria duhet të marrë masa emergjente për krizën ekonomike. “Dua të tërheq vëmendjen në veçanti për rekomandimin shumë të qartë që ka edhe deklarata e përbashkët e dy delegacioneve, që kërkojnë nga Qeveria shqiptare të përgatisë dhe të zbatojë një plan në mënyrë që të reduktojë efektet e krizës ekonomike globale në Shqipëri”, tha Meta. Në vijim të gjetjes së zgjidhjeve për këtë situatë, Meta kërkoi edhe njëherë gatishmërinë e Kryeministrit Berisha për t’iu përgjigjur kërkesës së LSI-së për debat parlamentar.
Dade: Pack, qëndrim personal për kartat
Selia rozë reagoi menjëherë ndaj deklaratës së europarlamentares Doris Pack, e cila hodhi poshtë propozimin e socialistëve për karta identiteti falas për një kategori shtetasish. Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS, Arta Dade tha dje se, “qëndrimi i zonjës Pack ishte personal”. “Me qëndrimet jozyrtare të Doris Pack jemi mësuar, jo ne, por gjithë Shqipëria. Prononcimi i saj i sotëm, shpreh një qëndrim personal, por jo qëndrimin e deklaratës ku thuhet shprehimisht “lehtësira të tjera financiare duhet të propozohen për qytetarët që i përkasin kategorive të pa-avantazhuara dhe vulnerabël” (pra, me të ardhura të pakta), tha Dade. Gjatë një konference dje për shtyp në përfundim të bisedimeve mes delegacioneve parlamentare të Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, eurodeputetja u shpreh kundër dhënies falas të kartave të identitetit të gjithë atyre shtetasve që nuk kanë pasaporta për jashtë shtetit. Sipas saj, një kërkesë e tillë nuk bëhet në asnjë vend. Nga ana e tyre socialistët këmbëngulin në propozimin e tyre për shkak të pamundësisë së kësaj kategorie për të paguar tarifën e kartës së identitetit. “Kjo do të thotë se shqetësimi ynë është kuptuar drejt dhe ne ripërsërisim propozimin tonë për pajisjen e shtetasve me kartat e identitetit falas si të vetmen zgjidhje për të mos u hequr qindra mijëra votuesve me të ardhura të pakta financiare të drejtën e votës e për të shmangur dështimin e zgjedhjeve. Kjo për ne nuk është ende një betejë kundër palës tjetër, por një betejë që duam ta bëjmë bashkë me palën tjetër për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Dade.