Pack: Nuk ka datë për statusin
Kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Doris Pack, tha dje se nuk ka një datë për përgjigjen ndaj Shqipërisë kur ajo të aplikojë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Gjatë konferencës për shtyp në përfundim të takimit ndërparlamentar, Pack theksoi se, “duhet të punoni dhe jo të prisni deri sa t’u japim ne një datë. Nuk do t’u japim asnjë datë përpara se t’i përmbushni piketat që u kemi vendosur dhe kjo nuk është vetëm për ju, por për të gjitha vendet e rajonit”. Tirana zyrtare ka bërë të ditur se do të paraqesë kërkesën për marrjen e statusit brenda presidencës çeke, fundi i së cilës është në qershor.