E Diel, 1 Nëntor 2026

Ina Rama: Të mbyllet "Gërdeci"

Grupi hetimor i dosjes
"Gërdeci" është mbledhur
dje urgjentisht në
godinën e Prokurorisë
së Përgjithshme për të diskutuar
statusin e ish-ministrit të
Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Në
analizën kolegjiale, krahas prokurorëve
dhe hetuesve të çështjes,
mori pjesë edhe kryeprokurorja
Ina Rama, e cila kërkoi që brenda
afateve ligjore të intensifikohet
puna drejt marrjes së një vendimi
për Mediun dhe të procedohet
shpejtë për të gjithë hetimin në
tërësi. Burime brenda takimit
thanë se numri një i akuzës
shqiptare ka kërkuar angazhim
maksimal për t‘i dhënë zgjidhje
tragjedisë së 15 marsit të vitit të
kaluar, ku humbën jetën 26 persona
dhe 300 të tjerë u plagosën.
Për këtë ngjarje janë arrestuar
Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe
Dritan Minxolli. Ndërsa prokuroria
i kërkoi disa muaj më parë
Parlamentit heqjen e imunitetit
të Fatmir Mediut, pasi kishte
dyshime se edhe ai ishte përgjegjës.
Megjithëse ka kaluar
kohë nga heqja e imunitetit, Mediu
vazhdon të ketë mbi shpatulla
statusin e personit nën hetim
për tragjedinë e Gërdecit.
Hetimet në Shqipëri
Në analizën e djeshme, kryeprokurorja
ka kërkuar që brenda
afateve ligjore të merret një
vendim për Fatmir Mediun: do
të merret apo jo i pandehur.
Ndërkohë, drejtuesi i hetimeve
për tragjedinë e Gërdecit, Zamir
Shtylla, u ka kërkuar hetuesve të
"rrëmojnë" në sirtarët e Ministrisë
së Mbrojtjes dhe në Shtabin e
Përgjithshëm për fakte që mund
të zbardhin hartimin e kontratave
që i hapën rrugë ndërtimit
të "fabrikës së vdekjes". Gjatë
analizës kolegjiale, vëmendje i
është kushtuar edhe hartuesve të
ligjeve që i hapën "shteg" tragjedisë.
Është kërkuar që në javët
pasardhëse të mblidhen të dhëna
mbi personat që kanë urdhëruar
ngritjen e bazës ligjore, madje
nuk është përjashtuar mundësia
që persona konkretë të thirren në
prokurori dhe të japin shpjegime.
Disa javë më parë, prokuroria
sekuestroi disa e-mail-e të ministrit
të Drejtësisë, Enkelejd
Alibeaj, dërguar për hartimin e
paketës ligjore që ngriti fabrikën
e Gërdecit, të drejtuara Plarent
Rukos, ish-këshilltari juridik i Fatmir
Mediut. "Kemi sekuestruar
dokumente që flasin për një asistencë
juridike dhe zgjidhje për
problemin se çfarë duhej bërë me
armët, teknikën dhe pajisjet që
dilnin nga përdorimi dhe që ishin
pronë e Forcave të Armatosura",
thanë burimet nga akuza.
Gjithsesi, puna në vitin 2009 e
hetuesve të "Gërdecit", do të vijojë
në mbledhjen e fateve nga Ministria
e Mbrojtjes për personat
me status nën hetim. Krahas ishministrit
të Mbrojtjes, prokuroria
saktëson se do të verifikojë rolin
e ushtarakëve që kanë lidhje me
tragjedinë. Hetuesit pretendojnë
se kanë dëshmi të marra nga
Ministria e Mbrojtjes që flasin se
është pikërisht ministri aktual i
Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, që ka
propozuar bazën ligjore që ngriti
"fabrikën e Gërdecit".
Hetimet ndërkombëtare
Një tjetër problematikë që
është diskutuar në analizën e
djeshme ka qenë bashkëpunimi
ndërkombëtar për zgjidhjen e
tragjedisë së Gërdecit. Hetuesit
shqiptarë presin disa letër-porosi
nga SHBA-ja, Qiproja dhe Zvicra.
Burime nga akuza thanë se hetimet
e fundit kanë zgjeruar rrethin
e personave që do të marrin në
pyetje për një nga pistat më delikate
të tragjedisë së Gërdecit,
pikërisht atë të trafikut të armëve.
Hetuesit saktësojnë se është dërguar
drejt Zvicrës një letër-porosi
me dhjetëra pyetje, ku u kërkohet
autoriteteve të drejtësisë të këtij
vendi të mundësohet marrja në
pyetje e Henri Tomeit. Krahas
kësaj, një tjetër letër-porosi është
nisur drejt Qipros për të zbardhur
transaksionet bankare të kompanisë
"Edvin LTD", e identifikuar
me seli në këtë vend. Hetues të
çështjes konfirmuan se po presin
një bashkëpunim të mundshëm
të Efraim Diverolit dhe Henri
Tomeit, dy personat enigmatikë
që merrnin armë nga Shqipëria
nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes
dhe i dërgonin në vendet e Lindjes.
I pari është pronari i AEY,
me qendër në Florida në SHBA,
ndërsa i dyti është pronari i firmës
kontraktuese "Edvin LTD", me
qendër në Qipro, i cili merrte fishekët
në Shqipëri me një çmim të
caktuar dhe ia shiste Diverolit me
një çmim të dyfishuar. Prokuroria
u kërkoi dy vendeve respektive informacione
për të kryer një hetim
të gjithanshëm, pasi vepra penale
është zhvilluar në territorin shqiptar.
Por, ende në organin qendror
nuk ka mbërritur asnjë informacion
që të hedhë dritë mbi lidhjet
e AEY-së dhe "Edvin LTD".

"New York Times": Blerjet e fishekëve, një mashtrim i madh

"Një tjetër kontraktues lokal,
i përfshirë në marrëveshje,
Trebicka, thotë se ai dyshonte
që qëllimi i "Edvin", ishte të rikthente
paratë te zyrtarët shqiptarë. Blerjet, tha
Trebicka, ishin një inskenim: Shqipëria i
shiste kompanisë "Edvin" municione me
çmimin 22 dollarë për 1 mijë plumba,
tha ai, dhe ajo ia shiste kompanisë "AEY"
për një shumë gati dyfish. Diferenca,
dyshon ai, ndahej me zyrtarët shqiptarë,
përfshirë edhe Pinarin, shefin e agjencisë
të eksportit të armëve dhe ministrin e
Mbrojtjes së asaj kohe, Fatmir Mediu.
Qeveria shqiptare është acaruar nga
komentet e Trebickës. Sali Berisha, Kryeministër,
Mediu dhe Pinari, të gjithë
mohojnë të jenë përfshirë në këtë skenar.
Por, Trebicka thotë se, pasi ai kishte ngritur
shqetësimet e tij në lidhje me "Edvin"
në Ministrinë e Mbrojtjes, kompania e tij
ishte përjashtuar nga kontrata e ripaketimit
të municioneve. Më 11 qershor 2007,
Trebicka dhe Diveroli, biseduan në telefon
për problemet me biznesin në Shqipëri.
Trebicka e kishte regjistruar fshehtazi këtë
bisedë dhe më vonë, ia kishte dorëzuar
atë hetuesve amerikanë. Biseda, thotë ai,
tregonte se kompania amerikane ishte
në dijeni të korrupsionit në marrëveshjet
e saj në Shqipëri dhe se Henri Tomei, një
tregtar zviceran armësh, qëndronte pas
‘Edvin‘-it". Në kasetën e regjistruar, që
Trebicka ia ka dhënë gjithashtu edhe "New
York Times", Diveroli sugjeron se Tomei,
i quajtur Henri, vepronte si ndërmjetës.
"Pinari, ka nevojë për një njeri si Henri,
në mes, që të kujdeset për të dhe miqtë
e tij, asnjë prej të cilëve nuk është pjesë
e biznesit tim", thoshte Diveroli. "Unë
nuk dua t‘ia di për atë biznes. Unë dua të
di vetëm për biznese legjitime". Diveroli
rekomandon që Trebicka të mundohet të
rifitojë kontratën e tij, duke i dërguar një
nga "vajzat e tij" që të "kënaqte" Pinarin.
Ai sugjeron se edhe paratë mund të ndihmonin
gjithashtu. "Le ta kënaqim atë,
ndoshta ai të jep edhe një shans tjetër",
thotë ai në kasetë. "Nëse ai merr 20 mijë
dollarë nga ty, ndoshta!". Në përfundim,
Diveroli duket se ankohet për biznesin e
tij me Shqipërinë. "Unë kam shkuar lart,
madje deri te Kryeministri dhe djali i tij",
u shpreh ai. "Por, unë nuk mund të luftoj
këtë mafie. Ajo është shumë e madhe".
Pjesë nga artikulli i New York Times,
botuar më 27 mars 2008

"Gërdeci", jo si "Durrës-Kukës e "Fazliç"

Ajo çfarë kërkuan dje zyrtarët e lartë të prokurorisë shqiptare
nga grupi hetimor i dosjes "Gërdeci" është që çështja të mos
përfundojë si dosjet "Durrës-Kukës" dhe "Fazliç", ku gjykata i ka
shpallur të pavlefshme disa veprime të prokurorisë. Burime brenda
takimit thanë se drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme kërkojnë
me ngulm që çdo provë e marrë të jetë e ligjëruar, si dhe çdo shtyrje
e afatit të hetimit të jetë e arsyeshme, çka do ta bënte procesin
hetimor me baza të forta ligjore. "Kërkojmë që çdo dokument apo
provë nga Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm, si dhe nga
institucionet e tjera shtetërore të merret në bazë të ligjeve në fuqi.
"Gjithashtu, kërkojmë që shtyrjet e afateve të hetimit të jenë të
arsyeshme", mësohet se kanë deklaruar zyrtarët e prokurorisë
shqiptare, duke synuar kështu që dosja "Gërdeci" të mos pësojë
të njëjtin fat si "motrat" e veta.

Dobjani paralajmëronte: Kemi edhe 25 "Gërdecë"

Avokati i Popullit, Ermir
Dobjani, i tregoi ministrit
të Mbrojtjes, Gazmend
Oketës, disa muaj më parë, 25
zonat e rrezikshme në Shqipëri,
duke i rekomanduar marrjen e
masave të menjëhershme për
garantimin e sigurisë së depove,
tuneleve dhe magazinave të
ruajtjes së municioneve. Krahas
ruajtjes së zonave të "minuara",
Dobjani thotë se objektet në
varësi të Ministrisë së Mbrojtjes,
si magazinimi i predhave, armatimit,
lëndët toksike, djegëse dhe
të çdo veprimtarie e objekti tjetër
me burim rreziku të shtuar për
jetën dhe shëndetin e popullsisë,
duhet të kontrollohen periodikisht
nga strukturat e Ministrisë
së Mbrojtjes. "Duke marrë shkas
nga tragjedia e ndodhur në fshatin
Gërdec në datën 15 mars 2008,
zyra e Avokatit të Popullit u kërkoi
të gjitha prefekturave, bashkive
dhe komunave në Shqipëri të
evidentojnë veprimtaritë dhe
objektet e ndryshme shtetërore,
apo private që përbëjnë burim
rreziku të shtuar", thuhet në
rekomandimin që Dobjani i ka
dërguar ministrit Oketa. Sipas
shkresës përcjellëse, ka nisur
një proces shqyrtimi për këtë
çështje shumë të rëndësishme,
e cila, nëse nënvleftësohet ose
ulet niveli i kujdesit të përhershëm
ndaj rrezikshmërisë që
paraqesin, mund të sjellë përsëri
pasoja të paparashikueshme për
jetën, shëndetin, pronën dhe
nivelin e sigurisë në vend. "Iniciativa
synon që të rrisë nivelin
e përgjegjësisë dhe të vërë më
mirë në lëvizje të gjitha organet
shtetërore dhe autoritetet
publike të ngarkuara nga ligji
me kontrollin dhe disiplinimin
e veprimtarive e objekteve me
burim rreziku të shtuar. Disa nga
objektet që konsiderohen të tilla
janë edhe depot, tunelet, të lëndëve
plasëse, të lëndëve kimike,
helmuese e toksike, magazinat
e municioneve, të predhave
dhe armatimit, ambiente të
ish-reparteve ushtarake, uzina
e ndërmarrje ushtarake, reparte
ose poligone demontimesh për
predha dhe municione etj., në
administrim të Ministrisë së
Mbrojtjes", informonte Avokati
i Popullit edhe Kryeministrin
dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm
të Shqipërisë. Dobjani i
shkruante Oketës se nga përgjigjet
që kanë ardhur deri tani prej
titullarëve e njësive të qeverisjes
vendore, rezultojnë se në afërsi të
25 qendrave të banuara, apo akseve
rrugore ka objekte ushtarake
që potencialisht mbartin rrezik
për jetën, shëndetin dhe pronën
e qytetarëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›