E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora dhe ngricat “pushtojnë” vendin, zbardhet dhe Tirana

17-12-2010 / Gazeta 55

Temperaturat e ulëta, bora dhe ngricat kanë përfshirë gjithë vendin mëngjesin e sotëm dhe pritet të vijojnë përgjatë gjithë ditës. Policia e Shtetit ka marrë masa për përforcimin e shërbimeve të Policisë Rrugore në të gjitha akset nacionale, nisur nga përkeqësimi i situatës së motit, si dhe nga vështirësitë e krijuara në qarkullimin e automjeteve si rezultat i reshjeve të dëborës dhe akullit. Zonat më problematike janë ato veriore dhe juglindore ku reshjet e borës nuk kanë patur të pushuar prej ditës së djeshme.


Si pasojë shumë komuna dhe akse rrugore janë bllokuar. Kështu në Kukës, të bllokuara janë komunat Bushtricë, Zapod, Golaj, Gjinaj, në Tropojë janë komunat Margegaj, Lekbibaj. Akset ku qarkullohet me tepër vështirësi janë Kukës-Krumë, Kukës-Shishtavec. Në Dibër problematikë shënohen Qafa e Ulzës, Qafa e Buallit ndërsa janë izoluar komunat e Trebishtës, Martaneshit, Macukullit. Në Korçë temperaturat sot kanë shënuar -12 Gradë Celsius dhe qarkullimi në të gjitha akset në zonë bëhet me zinxhirë. Të bllokuara janë komunat, Mokër dhe Mogliocë, ndërsa qarkullimi me vështirësi bëhet në Qafë Thanë, Qafë Plloçë. Në Vlorë, drejtuesit e mjeteve po hasin vështirësi në Qafën e LLogarasë, kurse në Elbasan, në Qafën e Krrabës, ku përveç borës, ngricat shtojnë rrezikun në rrugë. Reshjet e borës ndërkohë kanë sjellë probleme dhe në zonën e Gramshit ku banorët e 4 komunave, Kukur, Lemije, Sul, Tunje janë izoluar tërësisht nga pjesa tjetër e vendit. Ndërkohë në këto komuna është ndërprerë dhe mësimi.


Në Tiranë bora ka nisur të zbardhë çatitë dhe rrugët. Që prej orëve të para të mëngjesit bora vazhdon të bjerë pa pushim. Ndërkohë CEZ shpërndarje ka informuar sot për stakime të energjisë për shkak të punimeve në nënstacion. Informohet se do të ketë stakime nga ora 08-16. Do të ketë stakime të energjisë në rr.’Jordan Misja’, “Siri Kodra”, ish-uzina Dinamo, te shinat e Trenit, Bregu i Lumit. Stakime do të ketë dhe në Babrru, Paskuqan e Bathore. Po keshtu 7 fshatra te malesise se Krujes jane bllokuar nga bora, trashesia e saj arrin deri ne 16 cm. Raportohet se banoret e ketyre fshatrave jane pa energji prej dites se djeshme. Bora ka zbardhur gjithashtu qytetin dhe Fushe Krujen. Policia keshillon perdorimin e zinxhireve nderkohe qe po merren masa per hedhjen e kripes e skorjeve ne zonat problematike. Edhe në qarkun e Gjirokastrës për shkak të reshjeve të dëborës ka vështirësi në qarkullimin e mjeteve. Dëbora që ka nisur në orët e para të ditës së sotme ka vështirësuar qarkullimin në një segment të rrugës nacionale Jergucat-Qafa e Muzinës, në Qarkun e Gjirokastrës

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›