Brukseli: PS të pranojë humbjen e t’i kthehet bashkëpunimit në parlament

Kryeministri Berisha merr pjesë në Samitin e PPE në Bruksel dhe pas samitit, mban një prononcim të përbashkët për shtyp me presidentin e PPE-së, Vilfred Martens
Kryeministri Berisha, mori pjesë në Samitin e Partive Popullore Evropiane, i cili u zhvillua në Kështjellën Bouchout, në Meise, Bruksel. Në këtë samit, i cili drejtohej nga Presidenti i PPE Wilfried Martens, merrnin pjesë Presidenti i Këshillit Europian Herman Van Ronpuy, i Komisionit Europian Jose Manuel Baroso dhe ai i Parlamentit Europian Jerzy Buzek, si dhe personalitete të njohura të politikës europiane, kryetarë shtetesh e qeverish si dhe liderë të opozitës të vendeve të BE-së dhe atyre jashtë BE-së. Pas punimeve të samitit, i cili kishte si temë dialogun ndërfetar dhe atë ndërkulturor, Kryeministri Berisha dhe Presidenti i PPE Wilfried Martens dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:
Presidenti i PPE Wilfried Martens: “Jam shumë i lumtur që kam sot këtu me ne, në samitin e EPP, kryeministrin Berisha, i cili pati takime shumë të suksesshme, me të gjithë liderët kryesore të EPP. Kryeministri Berisha ka bërë dhe po bën një punë të shkëlqyer me zbatimin e reformave, të cilat janë shumë të rëndësishme për rrugën evropiane të Shqipërisë. Unë e kujtoj shumë mirë ditën e fundit të fushatës zgjedhore kur ai u fliste qytetareve me bindje dhe jemi shumë të kënaqur me rezultatin e atyre zgjedhjeve. Një gjë duhet të pranohet nga opozita që këto zgjedhje ishin të ndershme dhe ajo duhet të pranojë rezultatin e tyre.
Kryeministri Berisha: Zoti President, së pari më lejoni t’ju falënderoj për këtë rast shumë të mirë, për mundësinë e shkëlqyer që më jepni për të marrë pjesë në këtë Samit të zgjeruar të EPP. Është një privilegj dhe nder i madh. E çmoj samitin e sotëm dhe temën, e cila ishte dialogu ndërfetar dhe ai ndërkulturor. Unë pata rastin të prezantoj Shqipërinë, një komb multifetar, por një komb i tolerancës fetare "par ekselance", si nje model i cili pa diskutim është një model inspirues në këtë drejtim. E ftova Presidentin në një debat që të zhvillohet në të ardhmen në Shqipëri mbi këtë temë. Zoti President, unë jam gjithashtu mirënjohës për të gjithë mbështetjen dhe ju siguroj që unë mbetem tërësisht i frymëzuar ndaj principeve të qendrës së djathte dhe të EPP. Dhe këto principe kanë qenë të një rëndësie themelore në ndryshimin e vendit tim.
Me lejoni t’ju informoj shkurtimisht. Shqipëria vitin që shkoi zhvilloi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zoti President, më lejoni t’u njoh me rezultatet e fundit të hetimit të Prokurorisë së Shkodrës. Ata gjeten përputhshmëri të plotë pasi numëruan çdo votë pasi kqyren çdo procesverbal, se ka patur zero devijim nga e vërteta dhe realiteti. Dhe ju siguroj që Shqipëria do të votojë në zgjedhje të lira dhe të ndershme si çdo komb evropian. Ky është angazhimi im i plote. Sot në Shqipëri ka një demokraci funksionale dhe ajo është një vend anëtar i Nato-s.
Dje, shqiptaret filluan të lëvizin të lirë. U jam mirenjohes të gjithë atyre që votuan për këtë. Me duhet te theksoj se sot, drejt Italisë, nga Porti i Durrësit janë nisur vetëm 3 qytetare pa vize, 86 te tjerë morën fluturimin, që do të thotë që një komb i cili qe një komb eksodesh, 20 vjet me pare e priti me maturi te madhe këtë vendim te BE-së për të hequr vizat për të. Ne qëndrojmë të vendosur në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Qeveria shqiptare shkatërroi 204 banda kriminale shumë të rrezikshme dhe Shqipëria tashmë është një nga vendet më të sigurta në rajon dhe Evropë. Treguesit e kriminalitetit në vendin tonë janë më të ulët se mesatarja e BE. Këtë vit, Shqipërinë e vizituan 3.5 milionë turistë. Asnjeri prej tyre nuk pati problemin me te vogël në këtë vend. Ekonomia e Shqipërisë është e vogël por dinamike dhe entuziaste. Vitin që shkoi Shqipëria kishte një rritje ekonomike prej 3.5 perqind. Këtë vit do të kemi një rritje më të madhe dhe jo sepse nuk është globale, është hiperglobale. Ne fakt kur je i vogël je i dënuar të jesh hiperglobal. Ekonomia e saj është e vendosur në standarde të shëndosha. Ne e kemi luftuar me zero tolerancë korrupsionin.
Me lejoni t’ju informoj se që nga viti 2005 deri ne vitin 2009 kemi dyfishuar të ardhurat buxhetore. Në vitin 2007 ato ishin 87 miliardë dhe në 2009 ishin 188 miliardë. Shqipëria u ngjit 27 pike më lart se mesatarja e vendeve te OECD për fillimin e biznesit, 5 përqind më lart se mesatarja e OECD për investimet. Pesë vite më parë, indeksi i penetrimit të internetit ishte ndër më të ulëtit me vetëm 4,8 perqind. Këtë dhjetor ishte mbi 50 përqind dhe do të vazhdojë të rritet në vitet që vijnë. Zoti President, solidariteti i vendeve mike ka qene jetik, por një princip që ne vendosim si themel për vazhdimin e reformave.
Kryeministri Berisha prononcohet për median shqiptare në Bruksel
Kryeministri Berisha, para largimit nga Brukseli, ku mori pjesë në samitin e Partisë Popullore Europiane, në Kështjellën Bouchout, në Meise, iu përgjigj interesimit të medias shqiptare që ndoqi këtë aktivitet, mbi çështje të ndryshme, të lidhura me punimet e samitit, por edhe të zhvillimeve të fundit në Shqipëri.
Pyetje: Sapo dëgjuam Presidentin Martens që tha se EPP ka mbështetur të gjithë procesin e integrimit në BE. A do të ketë mbështetje edhe statusin e kandidatit, a keni biseduar për këtë?
Kryeministri Berisha: Absolutisht kam biseduar. Kemi dhe do të kemi mbështetje dhe çdo gjë ne e bazojmë në performancë. Motoja jonë është se ky duhet të jetë një proces bazuar në meritën dhe performancën, pasi ky është interesi më jetik i qytetarëve shqiptarë. Dhe kjo funksionon. Dita e parë e heqjes së vizave ishte një ditë mrekullie në shumë aspekte. Sigurisht që shqiptarët fituan një të drejtë që e meritonin, por edhe ata që ndruajtën, duke votuar për këtë të drejtë të tyre, panë qartë se ndruajta e tyre nuk kishte ndonjë motiv të tanishëm, por motivi i druajtjes së tyre ishte i vjetër.
Pyetje: Lidhur me konkluzionet e Këshillit të Ministrave që do t’i paraqiten edhe samitit, është që të kalojë sa më shpejt ngërçi politik. Lidhur propozimin konkrete nga opozita për të kaluar ngërçin, cila mendoni se do të jetë zgjidhje që parashikohet?
Kryeministri Berisha: Së pari, Prokuroria e Shkodrës botoi hetimin dhe nuk gjeti as edhe një votë të vetme ndryshe, sa ishte shkruar në procesverbale. Kjo është shumë e rëndësishme. Kjo është arsyeja që zoti Rama, pasi mbajti një vit rresht partinë e tij me kërkesën për numërim të votave, u tërhoq, se do të dilte si në Shkodër. Ne jemi të hapur për çdo formë hetimi, në përputhje me ligjet e Kushtetutën e vendit. Në mënyrë absolute, ne nuk paragjykojmë asnjë formë hetimi. Sikundër jemi të vendosur të qëndrojmë plotësisht në zbatim të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Zoti Rama ka paraqitur një kërkesë që në 9 nenet e saj, 8 bëjnë fjalë për dyshim. Por harron se në çdo vend demokratik ligjet përcaktojnë se cili dyshim hetohet dhe hetohet dyshimi i bazuar në fakte ose të dhëna. Në aspektin tjetër, ai të ngjet me një pamflet oreuellian. Në rast se zoti Rama pranon gjuhën e ligjit, pranon që këto dyshime të mbështeten mbi bazën e fakteve, grup fakteve dhe provave, që nesër, që të gjitha pa asnjë hezitim.
Pyetje:Megjithatë, a jeni i gatshëm që të bëni një kompromis në emër të zgjidhjes së problemit?
Kryeministri Berisha: Pacta sunt servanda. Ky është një parim i artë. Në qoftë se zoti Rama më fton të shkelmoj një kompromis për të bërë një kompromis tjetër, kjo është qesharake. Ne kemi bërë një kompromis me zotin Rama, kemi votuar konsensualisht një ligj, kemi një Gjykatë Kushtetuese, vendimet e së cilës janë të detyrueshme të zbatohen, kemi një Kushtetutë që imponon. Zoti Rama kërkoi për 12 muaj numërimin e votave, pse nuk e kërkon tani. Ky qëndron parimësia e tij? Nuk kam thënë që të mos kërkojë numërimin e votave. Jam gati të numëroj çdo votë, jam gati të ndryshoj çdo rezultat, por me kusht që të ndiqet procedura ligjore. Edhe tani jam gati për çdo hetim, por jo ligjet sipas meje, as sipas zotit Rama, por ligjet ashtu siç janë votuar në parlament dhe kjo përbën bazën më të shëndoshë, më solide. Zoti Rama mund përpiqet të bëjë biznes me votën e shqiptarëve, por unë e garantoj se nuk do të arrijë kurrë. Mund të mashtrojë tek tuk, por ka ikur koha, kur mund të bëhej biznes me votën e shqiptarëve.
Pyetje: Viti 2011 është vit vital për Shqipërinë e kemi dëgjuar dhe nga komisionari Fyle dhe nga eurodeputetët nga gjithë institucionet evropiane ju si kryeministër për çfarë angazhoheni?
Unë angazhohem për të gjitha reformat përveç udhëheqjes së opozitës. Si kryeministër nuk kam ndërmend kurrë të udhëheq opozitës, unë respektoj opozitën, ky është qëndrimi im.
Pyetje:Kishit disa kontestime për progres raportin keni biseduar ju me liderët evropian për këtë?
Progres raporti në tërësi është një dokument shumë serioz dhe qeveria ime e merr me seriozitetin më të madh. Por për problemet për të cilat ne nuk jemi dakord, absolutisht që në i përcjellim ato në të gjitha instancat në mënyrën më të hapur dhe transparente, por në tërësi progres raporti përbën një dokument shumë të rëndësishëm për qeverinë time. Ka probleme të cilat janë çështje diskutimi të hapur dhe kjo është normale. Nëse kush mendon të fajësojë qeverinë, sepse një njeri që nuk do të njohë humbjen e zgjedhjeve, kjo nuk mund të ndodhë. Kjo s’ka vlerë. Gjithçka është transparente. Prokuroria i dha përgjigje përfundimtare zotit Rama dhe pretendimeve, ia ka servirur të gjithë bashkëbiseduesve rastin e Shkodrës, se sa anomali janë gjetur dhe doli se nuk kishte as edhe një votë të vetme. Dhe kjo sepse procedura e numërimit të votave në Shqipëri është unike në botë. Në botë nuk ka ndodhur ndonjëherë që çdo votë të numërohet me veto, të filmohet, të fotografohet, të skanohet, të transmetohet në kohë reale në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.