E Diel, 1 Nëntor 2026

Bora, forcat ajrore vazhdojnë operacionet në zonat e izoluara

TIRANE - Helikopterët e Forcave Ajrore kanë vijuar misionet dhe kanë transportuar 185 pako ndihma ushqimore për banorët e fshatrave që ende ndodhen të bllokuar nga dëbora, që nga Dragobia e Tropojës, Fierza e Pukës dhe deri në Dardhas të Pogradecit, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes.

Kështu, në orën 10.55 një helikopter B-205 dhe dy helikopterë B-105 të Bazës Ajrore të Farkës, u nisën për të transportuar 60 pako me ndihma ushqimore në fshatin Dragobi të komunës Margegaj, të rrethit Tropojë. Të tre helikopterët përfunduan me sukses misionet e fluturimit dhe pasi dorëzuan ndihmat ushqimore për banorët autoriteteve lokale të fshatit Dragobi, u kthyen në Bazën Ajrore në Farkë.
Ndërkaq, tre helikopterë të tjerë, një tip AB-205 dhe dy tip B-105, rreth orës 12 35 transportuan 50 pakove me ndihma ushqimore në fshatrat Zhergë, Vlad dhe Kam të komunës Bytyç të rrethit të Tropojës.

Gjithashtu, në orën 15:05 tre helikopterë të Forcave të Armatosura, një AB 205 dhe dy BO 105, fluturuan drejt fshatit Gralisht, Bugjan dhe Kokëdod të komunës Fierzë në rrethin e Pukës për të transportuar 60 pako me ndihma ushqimore për banorët e këtyre fshatrave.

Ndërsa në orën 16.25 një helikopter i tipit B-105 u nis drejt komunës Dardhas të Pogradecit me 15 pako ndihma ushqimore dhe, pasi i shkarkoi ato me sukses, u kthye në Bazën Ajrore të Farkës.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Bora në verilindje, vështirësi qarkullimi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›