E Diel, 1 Nëntor 2026

Bora, fshatra dhe komuna të izoluara në Veri

Reshjet e dëborës dhe ulja e ndjeshme e temperaturave, që kanë përfshirë këto ditë gjithë Qarkun e Dibrës, kanë sjellë edhe izolimin e banorëve në mjaft fshatra dhe komuna në zona të thella malore. Më problematike situata paraqitet në komunat: Lurë, Kala e Dodës, Sllovë, Trebisht, Martanesh etj., ku po punohet për hapjen e rrugëve që lidhin këto komuna me qendrat e rretheve përkatëse. Ndërkohë edhe në komuna të tjera ka mjaft fshatra që ndodhen në thellësi të maleve, ku trashësia e dëborës shkon në 20 centimetra, që vazhdojnë të mbeten të izoluar për shkak të rrugës automobilistike. Mjaft nga rrugët rurale, sidomos ato më rrethin e Bulqizës, vazhdojnë të mbahen të bllokuara nga dëbora. Kështu aksi rrugor Fushë-Bulqizë-Tërnovë, ka mbetur i pakalueshëm nga automjetet për shkak të dëborës dhe ngricave, duke rikthyer izolimin si çdoherë në stinën e dimrit, për banorët e tre fshatrave Tërnovë e Madhe, Tërnovë e Vogël, Smollik. Ndërkohë e njëjta situatë vërehet edhe në rrugët rurale të Komunës Martanesh dhe Trebisht, duke bërë kështu që banorët në dhjetëra fshatra, të izolohen plotësisht. Banorë të këtyre fshatrave të kontaktuar me telefon, konfirmojnë se për momentin nuk bëhet fjalë për probleme me rezervave ushqimore si për njerëzit ashtu edhe për bagëtitë. Por edhe përkundër kësaj situate problematike, që po çon nga dita në ditë në izolim fshatrash dhe komunash, duket se Ndërmarrja e Rrugëve Rurale, është "dorëzuar", duke i lënë rrugët në mëshirë të reshjeve. Burime jozyrtare nga kjo ndërmarrje pohojnë se nuk kanë fuqi financiare për të investuar për lirimin e rrugëve. Ndërkaq, në Kukës rrugët rurale vazhdojnë të shfaqin probleme, megjithatë situata konsiderohet normale. Vëmendja e Drejtorisë Rajonale të Rrugëve është përqendruar në aksin nacional Kukës-Tiranë në segmentet e vështira në Kalimash, Shënmri dhe në Qafë-Shllak për shkak të akullit. Mjetet e këtij enti të mirëmbajtjes së rrugës hedhin skorie dhe kripë duke u kujdesur që rruga të mos ngrijë, në mënyrë të veçantë orët e natës kur ulen edhe më shumë temperaturat. Aksin kombëtar të rrugës e kanë monitoruar edhe efektivët e policisë së qarkullimit, si dhe ato të rendit me grupe të posaçme për të bërë të mundur shmangien e aksidenteve.

Hy.Li./Su.Di.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›