Studentët e masterit, kundër vendimit të MASH
Studentët e masterit të nivelit të parë në universitetin "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës kanë pezulluar dje mësimin në shenjë protestë pas vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Sipas kësaj të fundit në diplomat e masterave të nivelit të parë të degëve Gjuhë-Letërsi, Matematikë, Fizikë dhe Gjuhë të Huaja, do të përcaktohet se të diplomuarit mund të japin mësim vetëm në shkollat e sistemit 9-vjeçar. Sipas studentëve, ky është një diskriminim që po u bëhet atyre dhe universitetit shtetëror "Luigj Gurakuqi", i cili kështu nga statusi i universitetit, de fakto do të kthehet në institut. Ndërkohë, studentët kanë kërcënuar se protesta tyre do të përshkallëzohet në ditët në vijim duke i kërkuar Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrit të vendit, të ndërhyjnë për të normalizuar situatën dhe kthyer dinjitetin Universitetit të Shkodrës. Ndërsa drejtues të universitetit shprehen se gjithçka mbetet në dorë të MASH-it, pasi universiteti nuk ka hapësirën ligjore për masën e njohjes së masterit.
Ar.Ho.
Ar.Ho.