E Diel, 1 Nëntor 2026

Bora ‘gozhdon’ veriun. I ftohti i merr jetën një 45 vjecari

TIRANE-Kanë kaluar 12 ditë dhe në vend vijojnë problemet nga moti i keq kryesisht në zonat veriore të vendit. Harta e situatës problematike u zgjerua dje dhe në juglindje.
Rrugë të bllokuara nga dëbora, komuna që prej ditësh nuk komunikojnë dot me qytetet, shpesh njoftohen situata emergjence shëndetësore, ndërsa janë shtuar ankesat për mungesa ushqimore.

Bora që prej disa ditësh nuk ka të pushuar në veri ka shkaktuar një izolim total të zonave të Pukës nga pjesa tjetër e vendit. TVNews24 njofton se të gjitha akset dhe komunat rezultuan edhe sot të bllokuara dhe paraqitet shumë e vështirë hapja e rrugëve për shkak të borës që vijon të bjerë me intensitet.
E pamundur rezulton lëvizja dhe brenda në qytetin e Pukës, ku këtë mëngjes njerëzit janë përballur me një trashësi bore rreth 1 m në rrugë që ka bërë të pamundur lëvizjen. Në këtë zonë prej ditësh është pezulluar mësimi deri në një përmirësim të kushteve atmosferike.

Një situatë po aq shqetësuese vërehet dhe në Kukës. Në qytet trashësia ka arritur 85 cm dhe 2.5 m në fshatra. Reshjet e dëborës janë aq të dendura sa kanë vështirësuar ndjeshëm edhe lëvizjen në akset rrugore brenda qytetit të Kukësit, ku është bërë urgjente ndërhyrja e mjeteve borëpastruese për hapjen e rrugëve brenda qytetit. Sot në mëngjes të gjitha zonat rurale në rrethin e Kukësit janë ribllokuar sërish si pasojë e reshjeve të pandërprera të dëborës, që vazhdojnë me intensitet të lartë.
Aktualisht në rrethin e Kukësit janë të izoluar komunat e Zapodit, Shishtavecit, Topojanit, Grykë Cajës, Kalisit, Bushtricës, Malziut, Surrojit dhe Arrnit.

Reshjet e dendura të dëbora kanë riizoluar thuajse tërësisht edhe rrethet e Hasit e të Tropojës. Në të dy këto rrethe po punohet nga mjetet borëpastruese për mbajtjen hapur të akseve rrugore që i lidhin këto rrethe me Kosovën, gjë që deri tani është arritur megjithë dëborën e dendur që vazhdon të bjerë.

Të izoluara janë dhe komunat e Bulqizës, Peshkopisë, komuna Ostren.

Vështirësi raportohen dhe nga zona e juglindjes së vendit në Korcë e Pogradec ku bora po bie edhe sot me intensitet të madh. Në qarkun e Korçës që prej disa ditësh vijojnë të mbeten të bllokura disa prej komunave, ndërsa dita e shtunë ka zgjeruar edhe më tej izolimin e tyre.
Sipas Shtabit të Emergjencave Civile pranë Prefekturës së Korçës, komuna e Çlirimit në rrethin e Kolonjës dhe komuna e Lekasit në rrethin e Korçës, të cilat u izoluan disa ditë më parë, vijojnë të mbeten të bllokuara pa asnjë mundësi qarkullimi për automjetet dhe njerëzit. Natën e së shtunës u bllokua edhe komuna e Trebinjës në rrethin e Pogradecit dhe Komuna e Liqenasit në rrethin e Korçës.
Vështirësi të shumta paraqet Qafa e Thanës, veçanërisht për mjetet e rënda, ndërsa është bërë e pakalueshme rruga nga Kapshtica në drejtim të Kozanit në Greqi.

Të bllokuara pikat turistike
Ndërkohë mbetet e bllokuar rruga, që lidh Boboshticën me pikën turistike të Dardhës dhe rruga që lidh Korçën me pikën turistike të Moravës. Probleme paraqesin edhe segmentet rrugore Sovjan- Petrushë, Korçë-Ersekë dhe Korçë- Lozhan, ku edhe pse në këto akse, qarkullimi mund të kryhet me zinxhirë, segmente të caktuara të tyre paraqesin vështirësi serioze, pasi rruga mbulohet vazhdimisht nga dëbora, që sjellin erërat e vrullshme. Në disa zona si në fshatrat e komunës Dardhas, në fshatrat e rrethit Kolonjë, në fshatrat e komunës Progër dhe në komunën e Mirasit në rrethin e Devollit ka patur ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona.
Gjatë natës të së shtunës ndërprerje të energjisë elektrike pati edhe në qytetin e Korçës dhe në atë të Pogradecit.

Por sipas parashikimit të motit kjo gjendje do të zgjasë. Pritet që edhe në ditët në vijim qarkullimi i automjeteve të mbetet problematik.
Situata që po vijon prej ditësh ka shkaktuar emergjenca në shëndet dhe ushqime. Qeveria aktualisht ka ngritur shtab emergjence dhe po operon me ndihma ushqimore nga toka dhe ajri.

BORA I BLLOKOI, VDES NJË PREJ KUSHËRINJVE
Për rreth 30 orë kanë qëndruar në një bunker të kohës së Enverit për t’i shpëtuar vdekjes nga i ftohti dhe sulmit të kafshëve të egra. Kushërinjtë Isa dhe Myrteza Qarri nga rrethi i Hasit u gjetën mbrëmë nga të afërm dhe bashkëfshatarë të tyre pa ndjenja në bunker, gjysmë të ngrirë. Vetëm pas rreth 40 orësh në mal, mes dëborës dhe lukunisë së ujqërve, ata u transportuan për në spitalin e qytetit të Krumës. Burime zyrtare nga Prefektura e Kukësit bëjnë me dije se për shpëtimin e dy kushërinjve, përkatësisht 45 dhe 35 vjeç u mobilizuan 60 burrat më të fuqishëm të zonës. Vetëm pak minuta pas mbërritjes në spitalin e qytetit të Krumës, Isa Qarri ka ndërruar jetë, ndërsa kushëriri i tij ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ata kishin udhëtuar drejt malit Oplas për të vendosur një antenë interneti. (shkeputur nga Gazeta Shqiptare).

(d.b/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Moti i keq, pezullohet ndarja e ndihmave Krujë, era e fortë dhe shiu dëmtojnë stadiumin Përkeqësohet moti, mblidhet Komisioni i Emergjencës në Shkodër FOTO: Bora izolon veriun e Shqiperisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›