E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti i keq, pezullohet ndarja e ndihmave

TIRANE-Banorët e zonave të bllokuara nga bora nuk kanë marrë dje asnjë ndihmë ushqimore. Helikopterët që shpërndajnë pakot e Rezervave të Shtetit nuk kanë arritur të ngrihen, për shkak të kushteve të këqija atmosferike.

Kërkesave të shumta për ushqime, u janë shtuar dje edhe disa komuna të tjera në Kukës dhe Shkodër. “Jemi përgatitur për të çuar ndihma dhe në disa komuna të tjera të qarqeve të Kukësit dhe Shkodrës, por ka qenë moti shumë i keq dhe nuk mund të ngriheshin helikopterët. Janë bllokuar 65 komuna, nga të cilat 15 në qarkun e Shkodrës, 27 në qarkun e Kukësit, 13 komuna në Korçë, tre në qarkun e Lezhës, dhe 10 komuna në qarkun e Dibrës”, - deklaroi Xhaferr Seiti, nga Drejtoria e Emergjencave Civile.

Burime nga kjo drejtori sqarojnë se 23 fshatra janë të bllokuar tërësisht dhe nuk kanë asnjë mundësi komunikimi me pjesën tjetër të botës, për shkak të reshjeve të pandërprera të dëborës. Ndërsa që prej mbrëmjes të së të premtes, 65 komuna në mbarë vendin konsiderohen zyrtarisht të izoluara.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›