E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora, rëndohet gjendja në veri, probleme në juglindje

TIRANE-Prej 11 ditësh vijojnë problemet nga moti i keq kryesisht në zonat veriore të vendit. Rrugë të bllokuara nga dëbora, komuna që prej ditësh nuk komunikojnë dot me qytetet, shpesh njoftohen situata emergjence shëndetësore, ndërsa janë shtuar ankesat për mungesa ushqimore.

Bora që prej disa ditësh nuk ka të pushuar në veri ka shkaktuar një izolim total të zonave të Pukës nga pjesa tjetër e vendit. TVnews24 njofton se të gjitha akset këtë mëngjes rezultuan të bllokuara dhe paraqitet shumë e vështirë hapja e rrugëve për shkak të borës që vijon të bjerë me intensitet.

E pamundur rezulton lëvizja dhe brenda në qytetin e Pukës, ku këtë mëngjes njerëzit janë përballur me një trashësi bore rreth 1 m në rrugë që ka bërë të pamundur levizjen. në këtë zonë prej ditësh është pezulluar mësimi deri në një përmirësim të kushteve atmosferike.

Por një situatë po aq shqetësuese vërehet dhe në Kukës. Në qytet trashësia ka arritur 85 cm dhe 2.5 m në fshatra.

Situata e motit te keq po rendon dita-dites dhe qarkullimin e automjeteve, ndersa dhjetra komuna jane izoluar.
 Momentalisht aksi Morinë-Kalimash është i kalueshëm, por me vështirësi dhe me zinxhirë.
Të bllokuar janë akset Krumë-Bajram Curri, Bajram Curri-Qafë Morinë, Kukës-Shishtavec,Kukës-Bushtricë, Kukës-Peshkopi dhe Kukës-Krumë i bllokuar.
Po kështu të bllokuara janë dhe rrugët në drejtim të zonave rurale. 

Të izoluara janë dhe komunat e Bulqizës, Peshkopisë, komuna Otren. Në këtë komunë u shfaq një rast emergjence me një fëmijë të sëmurë me temperaturë. Familjarët kanë qarkulluar në borë me fëmijën në krahë derisa kanë mbërritur në rrugë të hapur dhe me makinë kanë mbërritur në spitalin rajonal të Bulqizës.

Me vështirësi kalohet në akset Peshkopi-Qafë Buall, ndërsa akset e tjera rezultojnë të bllokuara.

Në Bulqizë e Peshkopi rezultojnë të bllokuara të gjitha komunat.
Vështirësi raportohen dhe nga zona e juglindjes së vendit në Korcë e Pogradec ku bora po bie me intensitet të madh.

Situata që po vijon prej ditësh ka shkaktuar emergjenca në shëndet dhe ushqime.

Qeveria aktualisht ka ngritur shtab emergjence dhe po operon me ndihma ushqimore nga toka dhe ajri.

Kalohen me zinxhirë
Korçë-Pogradec, Pogradec-Qafë Thanë
Korçë-Voskopojë, Korçë-Kapshticë
Ersekë-Leskovik, Korçë-Ersekë me shumë vështirësi
Peshkopi-Qafë Buall
Morinë-Kalimash

Të bllokuara
Kapshticë-Kozanë e bllokuar për mjete e tonazhit të rëndë
Korçë-Liqenas,
Korçë-Dardhë
Krumë-Bajram Curri,
Bajram Curri-Qafë Morinë,
Kukës-Shishtavec,
Kukës-Bushtricë,
Kukës-Peshkopi
Kukës-Krumë
të gjtiha rrugët hyrëse dhe dalëse nga Puka

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›