E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, fundjavë kritike. Paketa e masave në parlament

ATHINE - E shtuna dhe e diela janë dy ditë me rëndësi të madhe në nivelin politik dhe ekonomik për Greqinë.

Sot zhvillohen takime kritike të grupeve parlamentare të dy partive kryesore, PASOK dhe Demokracia e Re, lidhur me qëndrimin që do të mbajnë deputetët e tyre në parlament, kur të votohet marrëveshja e kredisë së re në vend. 

Disa deputetë kanë deklaruar se nuk do ta votojnë paketën e masave, madje njëri prej tyre la edhe mandatin e deputetit. 

Gjithashtu, 5 dorëheqje ministrash për shkak të mospajtimit me marrëveshjen e kredisë së re, shkaktuan lëkundje në qeverinë e Papadhimos. 

"Është e vetëkuptueshme se kushdo që nuk është dakord dhe nuk e miraton programin e ri, nuk mund të mbetet në qeveri. Është absolutisht e nevojshme të përfundojmë përpjekjet e filluara dy vjet më parë duke siguruar programin e dytë të ndihmës për Greqinë. Eshte koha e përgjegjësisë së qeverisë. Eshtë koha për të gjithë. Obsioni i falimentimit nuk shtrohet fare në tryezë", dekalroi kryeministri grek Papadhimos. 

Qeveria greke e miratoi mbrëmë vonë marrëveshjen me faturën e masave, të cilën e dorëzoi menjëherë në parlament, ku do të ketë edhe provën më të vështirë. Por përpara së të mbërrijë aty, marrëveshja do diskutohet sot në komisionet parlamentare. Parlamenti do të votojë gjithashtu edhe marrëveshjen për shkëmbimin e bonove (PSI) dhe rikapitalizimin e bankave. 

Ligji do miratohet me shumicën relative, por në asnjë rast me më pak se 120 vota.

Makis Voridis dhe Andonis Georgiadis, përfaqësuesit e LAOS të dorëhequr nga qeveria, kanë thënë se me qëllim që të diferencojnë pozicionin e tyre nga ai i Presidentit të LAOS, do ta votojnë marrëveshjen e kredisë së re.

Ndërkaq sot është dita e dytë e grevës së punonjësve në sektorin publik dhe privat. Ata gjithashtu do të marrin pjesë në tubimet masive dhe të manifestimeve protestuese kundër Memorandumit të ri dhe masave shtrënguese që ai përmban, në ora 11:00 në sheshin Sintagma dhe Omonia. Në mëngjes dy parulla ishin varur në Akropolit nga anëtarët e Partisë Komuniste me sloganin "Poshtë diktatura e monopoleve në BE", të shkruara në greqisht dhe anglisht.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›