E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët e veriut të Kosovës të vendosur për referendum

MITROVICE-Serbët e veriut të Mitrovicës nuk u janë përgjigjur thirrjeve të autoriteteve kosovare, ndërkombëtare dhe atyre serbe, për mosmbajtjen e referendumit, duke sinjalizuar se janë në fazën finale të përgatitjeve për zhvillimin e këtij procesi në Mitrovicë, Zveçan, Zubin-Potok dhe Leposaviç. Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, tha se qëllimi kryesor i referendumit është vazhdimi tensioneve në atë pjesë të vendit.
"Ai nuk do të ketë pasoja juridike; nuk do të ketë mundësi që t'i lidhë më tepër qytetarët, por gjithsesi është edhe një tendencë që atje të rriten tensionet në raport me funksionimin dhe sundimin e ligjit, në raport me shtrirjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve dhe funksionalizimin e institucioneve", vlerësoi Ferati. Me referendum, serbët e veriut synojnë ta qartësojnë "vullnetin e komunitetit të tyre për lejimin apo moslejimin e shtrirjes së autoritetit shtetëror të Kosovës në veri të vendit". Qeveria e Beogradit është distancuar publikisht nga referendumi i serbëve të veriut, megjithatë ende nuk ka marrë vendim nëse do t'i mbulojë shpenzimet financiare për procesin në fjalë. Mirëpo, profesori në Universitetin e Prishtinës, Mazllum Baraliu, theksoi se pavarësisht kundërshtimit në opinionin publik që Serbia i ka bërë referendumit, nuk ka dyshime se ai do ta gëzojë mbështetjen e plotë të ekzekutivit serb. "Mbështetja edhe financiare, edhe politike, por edhe juridike, është nga Beogradi. E gjithë logjistika dhe i gjithë kuadri politik i këtij 'ruleti' i të ashtuquajturit referendum është i orkestruar nga Beogradi dhe Qeveria e Beogradit", u shpreh Baraliu.

Prishtina zyrtare e konsideroi si ilegale iniciativën e serbëve të veriut, ndërsa mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë tërhoqën vërejtje se me mbajtjen e referendumit, veriu i Kosovës do të shkonte drejt izolimit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›