E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Jug gëzojnë, por ka edhe probleme

Ndryshe nga Veriu, ku dëbora konsiderohet një hall më vete, në shumë qytete në Jug të Shqipërisë flokët e dëborës janë pritur me gëzim. Madje, shkollat aty janë mbyllur për të lejuar fëmijët të luajnë dhe jo për shkak të vështirësive siç ndodhi në Shkodër, Kukës dhe Dibër.

Berat

Në qytetin e Beratit, bora e rënë i dha një hijeshi qytetit të UNESCO-s, duke u dhënë bardhësi vezulluese dy lagjeve karakteristike "Goricë", "Mangalem". Në të gjithë qytetin, bora ka sjellë atmosferë hareje dhe ka nxjerrë në rrugë e sheshe fëmijë e të rritur. Por bora ka sjell edhe probleme në zonat malore, duke bllokuar akset rrugore Përmet - Berat apo Fier -Berat, si dhe rrugët e komunave Sinjë dhe Gjerbës. Dita e djeshme ka qenë e bardhë për gjithë Qarkun e Beratit ku rreth mesditës, reshjet e dendura kanë mbërritur deri në qytet. Edhe pse në krahasim me pjesën tjetër të vendit reshjet nuk kanë vazhduar gjatë, në disa zona malore të qarkut ka pasur probleme në qarkullimin e mjeteve. Sipas të dhënave të policisë rrugore, vështirësi në qarkullim si pasojë e reshjeve të dëborës ka pasur në vendin e quajtur Qafa e Sqepurit përgjatë aksit rrugor Berat -Fier, ku trashësia e dëborës ka arritur në rreth 20 centimetra. Burime të prefekturës bëjnë të ditur se është ngritur shtabi i emergjencës për situatën e krijuar dhe po punohet për të përballuar situatën e krijuar. Në aksin Fier - Berat, sidomos në vendin e quajtur Qafa e Sqepurit, situata ka qenë më e rënduar, pasi reshjet e borës kanë bërë të bllokohet qarkullimi në këtë segment. Në vend janë gjendur forcat e policisë për të marrë në dorë situatën, duke mos lejuar asnjë mjet të qarkullojë për të shmangur një aksident të mundshëm. Bllokimi i rrugës ka zgjatur rreth dy orë dhe më pas gradualisht me ndërhyrjen e mjeteve të Ndërmarrjes së Rrugëve Nacionale, situata është normalizuar. Prefekti i Beratit, Thoma Rumnici, ka shkuar dje në zonat më problematike për të parë nga afër gjendjen e krijuar dhe pikërisht ky i fundit ka venë në lëvizje të gjitha institucionet për të marrë masat që problemet të zgjidheshin në të gjithë prefekturën. Gjithsesi, Prefektura e Beratit është një zonë me mot të butë dhe nuk i njeh mirë problemet që krijohen nga reshjet e dëborës. Kjo mungesë eksperience ka bërë që edhe institucionet edhe qytetarët të gjenden të papërgatitur. Ishin të rrallë shoferët që kishin zinxhirë dëbore në makinat e tyre dhe kjo ka qenë arsyeja kryesore e bllokimit për disa orë të rrugës nacionale.

Mallakastër

Reshjet e dëborës që kanë rënë gjatë orëve të natës së të mërkurës dhe gjatë paradites së djeshme në zonën e Mallakastrës kanë krijuar probleme serioze në aksin rrugor Ballsh-Tepelenë. Forcat e policisë së Komisariatit të Mallakastrës që kanë organizuar shërbimet për t‘u ardhur në ndihmë drejtuesve të automjeteve që lëvizin në këtë aks rrugor. Shefi i Komisariatit të Policisë së Mallakastrës, Viktor Ago, tha se rrugët kaloheshin me vështirësi në orët e paradites në disa qafa në Jug të qytetit të Ballshit, por në pak kohë, me angazhimin e policisë dhe Ndërmarrjes së Rrugëve, situata është normalizuar. Nga ana tjetër, kreu i Shtabit të Emergjencave Civile në Prefekturën e Fierit, Shahin Bejdaj, ka mbledhur shtabin dhe është vënë në dijeni për situatën e krijuar. Prefekti ka mbajtur kontakte me të gjithë territorin e qarkut dhe ka kërkuar që punonjësit e Ndërmarrjes së Rrugëve dhe spitalet të jenë në gatishmëri maksimale.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›