Materniteti “Koço Gliozheni”, 700 aborte në një vit
Nuk po njeh ulje numri i femrave, që për arsye nga më të ndryshmet, vendosin ta ndërpresin shtatzëninë nëpërmjet abortit. Drejtoresha e maternitetit “Koço Gliozheni”, Rubena Moisiu, bën të ditur se brenda një vit pranë këtij materniteti kryhen 700 aborte, ndërsa mbetet e ulët shifra e përdorimit të metodave kontraceptive, për t’i mbrojtur nga shtatzënitë e padëshiruara. Sipas Moisiut, 67% e meshkujve shqiptarë përdorin metodën e tërheqjes gjatë marrëdhënies seksuale, çka bën që pjesa më e madhe e femrave të jenë të rrezikuara për të ngelur shtatzënë. Për rrjedhojë, nga vit në vit, numri i aborteve në vendin tonë vazhdon të mbetet i lartë, megjithëse shifrat që raportohen nga autoritetet shëndetësore janë të ulëta. Kështu, përveç aborteve që janë kryer në një vit pranë Maternitetit të Ri në kryeqytet, një shifër e përafërt ekziston edhe për Maternitetin e Vjetër në Tiranë. Por, këto të dhëna jo vetëm që nuk janë shifrat zyrtare të numrit të aborteve që kryhen në vendin tonë, por janë dhe shumë larg asaj reales, e cila duhet të jetë disa herë më e lartë, po të kemi parasysh faktin se një pjesë e mirë e aborteve që kryhen në klinikat private nuk raportohen. Kjo ka bërë që situata për numrin e saktë të aborteve që kryhen në vendin tonë të dalë jashtë kontrollit të autoriteteve shëndetësore, të cilat, megjithë mbledhjen e shifrave për këtë shërbim në shtet, pranojnë se për abortet në vend, deri më sot, nuk ka pasur një shifër të saktë. Në këtë mënyrë, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, që janë i vetmi institucion përgjegjës për raportimin e shifrave zyrtare, lidhur me statistikat shëndetësore në vend, e kanë pasur të pamundur të nxjerrin konkluzione përfundimtare për abortet. Vazhdimisht Ministria e Shëndetësisë ka pasur mungesë në monitorimin e plotë të aktivitetit e klinikave private për abortet. Jo vetëm që klinikat private nuk kanë raportuar të plota rastet e aborteve që kryhen në ambientet e tyre, por mjaft prej tyre e kanë ushtruar aktivitetin edhe pa licencën e MSH-së. Ndërkohë që sipërmarrja e mjekëve për kryerjen e aborteve në këto klinika, në disa raste rrezikon në shfaqjen e problemeve tepër të rënda për femrat, për shkak të komplikacioneve të ndryshme që mund të ndodhin.