E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Borba”: “Tirana sundohet nga Nexhmija, Fiqiretja dhe Vitoja”

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Beograd, 23 mars 1961 – Gazeta jugosllave “Borba” ka sulmuar ditën e djeshme udhëheqjen komuniste shqiptare me në krye Enver Hoxhën në një artikull të fortë të organit qeveritar jugosllav. “Populli shqiptar nuk do ta pranojë kurrë politikën e terrorit, e cila është zbatuar për një kohë të gjatë nga regjimi i Enver Hoxhës”, - thotë autori i shkrimit, Dragutin Solajiç, në artikullin e tij “Të vërtetat e thëna”, (që është shkrimi i fundit i një zinxhiri editorialesh, të cilat botohen nga gazeta e përditshme e Beogradit “Borba”, më 22 mars. Gazetarët jugosllavë dhanë sërish detaje për praktikat e shkuara të regjimit të Hoxhës në Shqipëri, duke theksuar në veçanti ngjarjet që ndodhën pas Konferencës së Prillit (1956) në Organizatën Partiake të Partisë. Në konferencën e sipërpërmendur, e cila zgjati një javë, “shumë delegatë kërkuan diskutimin e Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik për kultin e individit, rastin e Koçi Xoxes, marrëdhëniet me Jugosllavinë, demokracinë në parti dhe standardin e jetesës”. Edhe Enver Hoxha u detyrua të ishte i pranishëm dhe të ndërhynte, duke qenë se pakënaqësitë e delegatëve ishin të mëdha dhe shumë prej tyre pretendonin se “vendi ishte shumë i varfër, ndërsa kushtet e jetesës ishin shumë herë më të mira në vitin 1946, sesa më 1956”. Si rezultati i kritikës, artikulli shkruan se “menjëherë pas konferencës një në dhjetë delegatë u përjashtua nga Partia, ndërsa një numër i madh komunistësh të tjerë u arrestuan përfshirë dhe gjeneralin Hulusi Spahiu, i cili ishte një nga pjesëmarrësit e Luftës Civile Spanjolle dhe pjesë e kryekomandës së artilerisë, dhe gjenerali Tahir Kadareja, ish-zëvendësministër i Mbrojtjes dhe një nga heronjtë më të shquar të Luftës së Dytë Botërore. Gjatë gjithë kohës, edhe pas vdekjes së Stalinit, çdo rezistencë ndaj stalinizmit u shtyp në mënyrën më të pamëshirshme në Shqipëri. Çdo komunist që tentoi të sillte ndonjë ndryshim në lidhje me riprezantimin e “normave leniniste” në parti, u eliminua. “Borba” përmendi rastin e Dali Ndreut (ish-anëtarit të Komitetit Qendror) dhe gruas së tij, Liri Gega, (ish-anëtare e Byrosë Politike) të cilët u dënuan me pushkatim së bashku me Petar Bulatoviçin (jugosllavin që shërbeu si major në Ushtrinë Shqiptare) gjatë gjysmës së dytë të muajit nëntor 1956, pasi nisi fushata e re antijugosllave në bllokun sovjetik. Ashtu siç dihet, Dali Ndreu dhe Liri Gega u arrestuan në fillim të shtatorit 1956, ndërsa Petar Bulatoviçi më korrik të po këtij viti. Ata u dënuan me punë të detyruar respektivisht me 10, 15 dhe 20 vjet, edhe pse informacionet nga gjyqi nuk bënë të ditur asnjë detaj rreth sentencës së gjykatës. Sidoqoftë, pasi Moska dha sinjalet e para për shpërthimet e reja antijugosllave si rezultat i Revolucionit Hungarez, Gjykata e Lartë Ushtarake në Tiranë e ndryshoi menjëherë vendimin ndaj tyre nga punë të detyruar në dënim me vdekje. Ekzekutimet u kryen menjëherë. Pas eliminimit të Dali Ndreut dhe Liri Gegës “nga 14 anëtarët e Komitetit Qendror të zgjedhur më 1943... vetëm Enver Hoxha kishte ngelur. Të tjerët ishin ekzekutuar, vetëvrarë, 5 ndodheshin në burg, 3 ishin zhveshur nga çdo funksion partiak dhe tashmë ishin pjesë e klasës punëtore dhe 1 ishte zhdukur në luftë. “Borba” përmendi më tej se “mes Kongresit III dhe atij IV erdhi dhe eliminimi i dy figurave të tjera kryesore të udhëheqjes shqiptare. Liri Belishova dhe Koço Tashko u përjashtuan pak kohë përpara se të fillonte punimet Kongresi IV (shkurt 1961). Në përfundim të shkrimit të “Borba”-s përmenden dhe disa argumente për nepotizmin në Shqipëri, duke pretenduar se tashmë në Tiranë sundon i gjithë klani familjar me në krye Enver Hoxhën dhe bashkëshorten e tij, Nexhmijen. Në Komitetin e tanishëm Qendror që përbëhet nga 53 anëtarë, ka 5 çifte të martuara (dmth 10 anëtarë), 20 janë kunetër me njëri-tjetrin dhe “grupe të veçanta familjare” deri në shtatë kushërinj janë pjesë e Komitetit Qendror. “Borba” përmend rastin e mëposhtëm për ta ilustruar: “Nexhmija, gruaja e Enver Hoxhës, është një anëtare e Komitetit Qendror, drejtoreshë e administratës së Komitetit Qendror dhe anëtare e Presidiumit të Kuvendit Popullor, ndërkohë që ka dhe një sërë funksionesh të tjera. Fiqirete Shehu, gruaja e Mehmet Shehut, është anëtare e Komitetit Qendror dhe zëvendëspresidente e Asamblesë Popullore. Vito Kapo, gruaja e Hysni Kapos, anëtare e Komitetit Qendror dhe sekretare organizative e Partisë. Ajo është gjithashtu dhe kryetare e shoqatës antifashiste të Gruas dhe anëtare e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Nga ana e tij, Hysni Kapo është kunati i Piro Kondit, anëtar i Komitetit Qendror dhe shef i departamentit të Komitetit Qendror. Piro Kondi është dhëndër i Sadik Bekteshit, gjenerallejtnant dhe anëtar i Komitetit Qendror, dhëndri i dytë i të cilit, Manush Myftiu, një anëtar i Byrosë Politike dhe zëvendëskryeministër. Kjo listë është shumë e gjatë dhe përmban shumë emra të tjerë farefisi”. “Të gjithë këta njerëz, - shkruan “Borba”, - kanë persekutuar brutalisht edhe përpjekjen më të vogël të rezistencës ndaj realitetit të ashpër të Shqipërisë”. “Gjyqet dhe ekzekutimet në Shqipëri po përsëriten vazhdimisht, por tashmë janë të pavlera, sepse shqiptarët nuk do të pranojnë kurrë politikën e terrorit dhe asgjësimit të arritjeve të Luftës Nacionalçlirimtare”, - përfundonte artikullin e saj gazeta jugosllave “Borba”.

Ky lajm është publikuar: 18/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›