E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova model për trajtimin e pakicave

Autori i Lajmit: Nga Jakup Krasniqi

Sot na bashkon dyvjetori i Pavarësisë së Kosovës. Dy vite janë pak për historinë, por kthesa që ka bërë Kosova gjatë dhjetë vjetëve të lirisë dhe dy viteve të pavarësisë është e madhe dhe historike. Kosova e popullit prej më të vjetërve të Evropës, ishte e humbur dhe e harruar dikur në hartën e zhubravitur të Ballkanit të konflikteve të përgjakshme. U deshën përpjekje e sakrifica të shumë brezave për ta bërë Kosovën shtet të pavarur e sovran, të njohur e të respektuar në katër anët e botës.
Në dy vitet e shtetndërtimit Kosova i ka ngritur të gjitha institucionet kushtetuese e demokratike të shtetit, e ka stabilizuar shoqërinë shumetnike dhe është bërë faktor paqeje në rajon.
Në këtë sallë gjatë dy legjislaturave të kaluara janë miratuar mbi 160 ligje, ndërsa vetëm gjatë këtyre dy viteve janë miratuar mbi 140 ligje, të cilat rregullojnë shtetësinë e Kosovës, përcaktojnë standarde të larta të mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut, mundësojnë zhvillimin e gjithanshëm të vendit dhe hapin perspektivën integruese në Bashkimin Evropian dhe në institucionet tjera euroatlantike.
Kosova tashmë është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar, e Bankës Botërore, pjesëmarrëse në organizma, forume e iniciativa rajonale e ndërkombëtare dhe në rrugë të mirë për të hyrë në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara.
Pas mbrojtjes së shkëlqyer të së drejtës dhe legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë në
Në nëntorin e kaluar, Kosova mbajti zgjedhjet e para pas pavarësisë, të organizuara për herë të parë nga institucionet e vendit, të cilat u vlerësuan lart nga vëzhguesit dhe institucionet relevante ndërkombëtare. Pjesëmarrja e shtuar e komuniteteve pakicë dhe sidomos e komunitetit serb në këto zgjedhje, është tregues i qartë i realitetit të ri integrues në Kosovë. Kushdo mund të shohë vullnetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës për integrim dhe bashkëjetesë, por është ndërhyrja obstruktive dhe ndikimi agresiv i Beogradit që e vështirësojnë këtë proces të interesit tonë të përbashkët.
Republika e Kosovës, më mirë se çdo vend tjetër i rajonit aplikon politikën e të drejtave të avancuara për komunitetet pakicë, të diversitetit etnik, gjuhësor e kulturor, të cilën do të dëshironim ta shihnim edhe te fqinjët tanë.
Ne e ftojmë Republikën e Serbisë, të mbajë qëndrim konstruktiv ndaj kësaj strategjie qëllimmire, ti kontribuojë marrëdhënieve tona të mira e integruese evropiane, proceseve paqësore dhe dialogut pragmatik për çështjet e interesit të përbashkët.
Komuniteti serb në Kosovë dhe komuniteti shqiptar në Serbi, duhet të na shërbejnë si ura të komunikimit e të bashkëpunimit reciprok.
Ne qytetarët e Kosovës, pa dallim, kemi armikun e përbashkët të quajtur varfëri dhe interesin e lartë për një jetë më të mirë, më të sigurt e më të dinjitetshme. Vlera e pavarësisë së Kosovës matet në radhë të parë me përmirësimin praktik të jetës së qytetarëve. Por ne duhet ta ndërtojmë bashkë dhe me duart tona të ardhmen tonë.
Kosova e ka shpallur pavarësinë dhe sovranitetin, prandaj duhet jetësuar plotësisht dhe në gjithë hapësirën e saj. Ne e miratuam Kushtetutën dhe ligjet, të cilat duhet respektuar e zbatuar rigorozisht, sepse duam shtet ligjor dhe demokratik. Ne i bëmë institucionet, të cilat duhet forcuar e funksionalizuar, që të gëzojnë besimin dhe respektin e vazhdueshëm të qytetarëve, i bëmë strategjitë për fusha të ndryshme, të cilat duhet ti vëmë në jetë. Ne jemi përcaktuar qartë dhe fuqishëm për integrimet euroatlantike, prandaj të gjithë, shqiptarët shumicë, komunitetet pakicë, qytetarët dhe institucionet, shoqëria civile dhe mediet, çdo ditë duhet ti shtyjmë përpara këto procese.
Në këtë përvjetor të pavarësisë i kujtojmë me pietet të rënët e të gjithë brezave, që u sakrifikuan për liri dhe për Kosovën e re që po e gëzojmë. Sot përkulemi para kujtimit të lavdishëm të flijimit biblik të komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjes së tij, në Epopenë e Prekazit monumental. Ne u detyrohemi atyre përjetë, por edhe amanetit që na lanë.(Pjesë nga fjalimi i kreut te Kuvendit, Krasniqi i mbajtur në seancën solemne në Kuvendin e Kosovës, më 17 shkurt)

Ky lajm është publikuar: 18/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›