E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nata e parë e Sanremos, mund Milan-Mançester

Autori i Lajmit: Redaksia

SANREMO – Dhjetë milionë e 717 mijë telespektatorë duke zënë 45,29% të audiencës së përgjithshme televizive ka qenë shikueshmëria e natës së parë të Festivalit të Sanremos. Nën drejtimin e prezantueses Antonela Kleriçi, shikueshmëria e natës së parë pësoi një rënie në krahasim me të njëjtën natë të Sanremo 2009, kur Paolo Bonolis dhe Luka Laurenti arritën të siguronin 14 milionë e 173 mijë spektatorë (47,10%). Ndërsa në natën e dytë shikueshmëria arriti në 49,51%. Gjithsesi, shifrat e natës së parë të festivalit të këngës së lehtë italiane janë të kënaqshme për shkak dhe të konkurrencës që kishte me programacionin e Mediasetit ditën e martë. Kujtojmë se ditën e martë në mbrëmje luante Milan dhe Mançester Junajtid. Për sa i përket garës, janë eleminuar këngëtarë “big”, si Toto Kutunjo (Aeroplani), Nino DAnxhelo (Jammo Jà) dhe trioja Pupo-Emanuele Filiberto-Luka Kanoniçi (Italia amore mio). Megjithtatë, këta të fundit kanë mundësi të rikthehen edhe një herë tjetër në skenë me kualifikimet e ditës së enjte. Edicioni i 60 i këtij edicioni nisi atje ku kishte përfunduar ai i 59-i. Të parët që u ngjitën në skenën e Aristonit ishin dyshja karizmatike BONOLIS-LAURENTI. “Është vetëm fillimi dhe duhet të ruajmë të njëjtin nivel”, - u shpreh drejtori i Rai Uno, Mauro Mazza, duke komplimentuar gjithashtu dhe drejtorin artistik të festivalit, Xhanmarko Maci dhe Kleriçin. Prezantuesja e fundit e Rait mund të quhet një bast i fituar për Macën, i cili shtoi se në ditën në vazhdim ka ende shumë punë për të bërë. Dje, në natën e dytë të festivalit, kënduan 12 këngëtarët e tjerë dhe 5 të rinjtë e parë në kategorinë e tyre: (Nina Zilli, Broken Heart College, Matia de Luka, Romeus, Luka Marino). Të ftuar ishin mbretëresha Rania e Jordanisë dhe aktorja protagoniste në filmin më të suksesshëm për momentin të regjisorit Kamerun, “Avatar”. Në skenën e Artistonit u ngjitën dhe një trio fëmijësh të lançuar nga programi i RaiUno, “Ti lascio una canzone”. Më pas performuan dhe balerinat e Moulin Rouge. Në fund për kënaqësi dhe të publikut të ri, në skenë u ngjitën një çift të rinjsh, Tiziano Ferro dhe mbretëresha e rrymës RNB, Mary J. Blige. Sipas mediave italiane, momentet më kulminante të festivalit ishin hapja e tij nga moderatorët e njohur Paolo Bonolis dhe Luka Laurenti, si dhe fundi ku u njoftua dalja jashtë gare e këngëtarëve Toto Kutunjo, Nino dAnxhelo, Emanuele Filiberto dhe Pupo. Ky edicion i 60 i Sanremos do të zgjasë 5 ditë dhe ka premtuar se do të jetë një superedicion me shumë artistë të rinj dhe shfaqje të paharrueshme. Skena, një mrekulli e skenografisë me orkestrën dhe shumë artistë të rëndësishëm të skenës italiane dhe botërore. Të premten në mbrëmje do të jetë dhe nata e dueteve ku pritet të spikasë Povia me Marko Masinin; Prince Emanuele Filiberto & co. që do të këndojnë me trajnerin e Kombëtares italiane, Marçelo Lipi; dhe Valerio Skanu, që do ta interpretojë këngën e tij me Alesandra Amoroson, fituesen që e mundi Skanun në edicionin e një viti më parë të Amiçit.

Ky lajm është publikuar: 18/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›